Nga Ylli Pata/

Sapo erdhi për herë të dytë nga Haga ku u shpall i pafajshëm për të njëjtën dosje, atë të vrasjes apo torturimit të kundërshtarëve të UÇK-së në vitin 2012, Ramush Haradinaj tha se i hanin duart të punonte si kryeministër.

Dhe lejtmotivi politik i tij ishte se kishte energji pa fund, pra ishte një gjenerator politik, por edhe se kishte ngritur një ekip me ide e vizion nga më të mirët për të punuar shumë për Kosovën.

Ja kërkoi Thaçit menjëherë detyrën e kreut të qeverisë por kur ai nuk ja dha, nisi luftën ndaj ti. Kur Hashim Thaçi zgjodhi në vitin 2014 koalicionin e madh me Isa Mustafën, Ramushi bëri namin, duke përdorur edhe vetë bombat me gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës së bashku me Vetëvendosjes për të rrëzuar qeverinë Thaçi-Mustafa.

Edhe pse motori i koalicionit reaktiv që përdori edhe gueriljen urbane kundër qeverisë, braktisi Albin Kurtin për të krijuar të ashtuquajturin “koalicionin e luftrës” me dy ish-komandantë të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin e Fatmir Limajn. Por sërish nuk kishte numrat, përdori lidhje e lëvizje edhe personale duke marrë pjesë të familjes Rugova por edhe përfaqësues folklorikë të ardhur në Parlament në mënyrë për të siguruar mazhorancën.

E nisi ditën e parë si Kryeministër në Trepçë, ku me një operacion të shkëlqyer marketingu, mori një copë bukë thatë nga mensa e uzinës për të shuar urinë e mëngjesit.

Premtoi punë, shumë punë, projekte, shumë projkete. Pra një kryeministër i punës dhe jo i intrigave politike apo marrëveshjeve të nëndheshme, të cilët klasa politike kosovare i ka arritur si pasojë e një sistemi që nuk nxjerr një fitues shqeto nga zgjedhjet parlamentare.

Ramush Haradinaj ka dy vjet si kryeministër i Kosovës dhe i vetmi vendim i fortë që ka marrë është vendosja e taksës 100% për mallrat serbe dhe ato të Bosnjës, çka është një akt që ka rritur ndonjë bonus politik brenda vendit por e ka armiqësuar atë fort me ndërkombëtarët.

I pari faktor që nuk e ka pritur mirë këtë vendim ka qenë SHBA që në një rast i refuzoi edhe vizën, megjithëse lobuesit e zotit Haradinaj në Ligën Shqiptaro-Amerikane kanë akses në qarqe të rëndësishme të Kongresit.

Gjithashtu dihet nga të gjithë përplasja që Ramushi zhvilloi në Berlin me Angela Merkel dhe Emanuel Macron ku refuzoi edhe një propozim me bonus të presidentit francez për një pezullim të taksës.

Ky vendim i fortë e mban Kosovën pezull apo në një statukuo ku si shtet i ri as nuk përparon politikisht e as nuk zhvillohet si duhet ekonomikisht. Realisht me vendimin e mosliberalizimit të vizave, Kosova është një shtet “karantinë”.

Po cilat kanë qenë arritjet e kryeministrit të “punës” në dy vjet që është në fakt edhe pse jo mjaftueshëm ndoshta të duhura për të lënë një shenjë si kryetar qeverie?

Në terren gjërat nuk duken të qarta. A, politikisht situata është më ndryshe? Ramush Haradinaj ka shtrirë fuqishëm influencën politike në administratë me punësime, siç në fakt e kanë bërë edhe paraardhësit e tij, sidomos PDK-ja e Thaçit që klientelizimin e ktheu në moto.

Ka krijuar një aleancë me një pjesë jo të vogël të Vetëvendosjes që u largua pasi Albin Kurti u zgjodh kryetar. Të cilën e kryeson Shpend Ahmeti, kreu i Prishtinës.

Me këto premisa, Ramushi, i cili ka drejtuar një parti më shumë gjeografike që merrte vota kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit, nga është edhe ai, shpreson të hyjë edhe në kryeqytet, duke përdorur edhe joshjen që i ka bërë një pjese të elektoratit të LDK-së.

Shkurt, Haradinaj është në momentin më të volitshëm për të kaluar kufirin e 8-10% që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që ai e drejton ka marrë mesatarisht në çdo zgjedhje.

Ndaj, realisht manovra e tij e fundit ku dha dorëheqjen me kusht që të shpallen zgjedhje të reja është e pastër politike dhe jo aq shumë veprim prej shtetari, megjithatë kjo e fundit edhe ha diskutim e secili ka opinionin e tij.

Por çështja e ikjes në Hagë apo problemet me drejtësinë ndërkombëtare po e humbasin atë efekt që kanë pasur në fillim. Në vitin 2005, Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës si pasojë e një pakti me Ibrahim Rugovën, i cili kërkonte një aleat të fortë për të përballuar rritjen e PDK-së së Thaçit progresivisht. Ai dha dorëheqjen kur Prokurorja e Hagës e akuzoi për krime Lufte.

E përballoi dinjitetshëm sprovën e parë. Duke dhënë dorëheqjen dhe me një lëvizje edhe ligjërisht briliante, me anë të një avokati britanik fitoi ligjërisht. U lirua për mungesë provash duke pritur gjykimin në Kosovë, e më pas sërish u rikthye në burg për të triumfuar duke marrë pafajësinë më 29 nëntor 2012. Në Kosovë u prit si hero nga Hashim Thaçi, kryeministër në atë kohë.

Ramush Haradinaj ka ecur në rrugën e tij në shtegun e një heroi të gjallë por që ka bërë politikë tejet pragmatiste, madje mund të thuash pindarike.

Si luftëtar, “Ramboja” siç e ka edhe nofkën është një legjendë e gjallë e trim i çartur. Ka mbajtur peshën e madhe të luftimeve në kufirin me Shqipërinë dhe formacioni që ka drejtuar Zona Operative e Dukagjinit ka qenë kontigjenti që është përplasur më egërsisht me makinerinë e frikshme serbe. I janë vrarë dy vellëzer dhe familja Haradinaj është ndër më martiret në Kosovë dhe nismëtare e rezistencës.

Metamorfoza e një heroi në politikan nuk ka kursyer askënd, qoftë Churchill-in famëmadh, ndaj edhe Ramush Haradinaj këtë rrugëtim e ka pasur me mjaft zigzage.

Kur në vitin 1999, largohet nga Trupat Mbrojtjëse të Kosovës ku mbante postin e numrit dy, themeloi AAK një parti ku si mentor kishte Mahmut Bakallin, ish-liderin komunist të Kosovës, si dhe disa formacione marksiste si LPK-ja e Emrush Xhamajlit etj. Nga e majta shkoi në qendër për të lëvizur djathtas, njëjtë si Hashim Thaçi, me synimin për të marrë elektoratin e LDK-së i cili është përgjithësisht konservator, antikomunist dhe europeist.

Në Shqipëri ka nisur si aleat me zogistët e Legalitetit me shpresën që të marrë me vete të thekurit e monarkisë në Kosovë, më pas me Sali Berishën, me të cilin nisi edhe një pakt për të ndikuar në ndarjen e LDK-së, për të përfunduar si mbështetësi më i fortë i Ilir Metës në Kosovë. Në çdo Kuvend të LSI-së, fjala e Haradinajt ishte pjesë kryesore e të ftuarve prej partive aleate.

AAK-në i bashkon me LSI-në aspekti se si parti politike forcohen në pushtet e dobësohen në opozitë. Haradinaj harxhoi rreth 5 vjet energji jo për të forcuar partinë e tij e për të përpunuar një vision fitues apo aleancë që do ta sillte triumfues në pushtet, po për pazare me të gjithë që nga Thaçi, Veseli e Limaj, deri te Shpend Ahmeti, Pacolli, familja Rugova, madje edhe me personazhe të shobizit Kosovar si Labinot Tahiri për të siguruar mazhorancën që e solli në karriken e kryeministrit.

Që e la me një deklamim se po sillej si shtetar me standarde i Kosovës. Duke kërkuar zgjedhje të reja dhe kërkuar mbështetje për aktin që ai po bënte për të dëshmuar në Hagë nga Gjykata Speciale për Kosovën.

Në këtë status kanë shkuar thuajse të gjithë kolegët e Ramushit që kanë qenë komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Disave i është shkaërruar plotësisht karriera dhe imazhi si ish-kryekomandanti i UÇK-së Sulejman Selimi, i cili shërbeu pak kohë si ambassador në Shqipëri, dhe që kurrë nuk u viktimizua. Po ashtu të njëjtën gjë kanë bërë edhe Rustem Mustafa e disa të tjerë.

Por ky viktimizim tani duket i tepërt. Nëse në 2008, kur Kosova u shpall e pavarur dhe mos qënia e Ramushit në Prishtinë u përjetua nga të gjithë me një ndjenjë dhimbjeje për mungesën e një heroi të gjallë, sot, nesër apo të gjithë jetën politike të tij Haradinaj duhet ta lërë në Gllogjan petkun e tij të heroit. Në kullën e Haradinajve. Nëse në politikë hyn si komandant, e qara nuk vlen, por fitoret…..

TemA