Nga STRUAN STEVENSON

Përpjekja e The Guardian për t’i përshkruar Muxhahedinët e Popullit të Iranit/ Mojahedin-e Khalq (PMOI/MEK) si një lloj kulti terrorist i krahut të djathtë të mbështetur nga Donald Trump (The Long Read – e premte, 9 nëntor 2018) është kaq e pavend saqë të sjell në mendje thënien e Volterit: “Ata që të bindin të besosh absurditete, të bindin edhe të kryesh mizori.” Artikulli i gjatë i Arron Merat përsërit akuzime keqdashëse kundër refugjatëve të PMOI/MEK që banojnë aktualisht në Shqipëri. Këto akuzime, të përsëritura sa e sa herë nga Ministria iraniane e Inteligjencës (MOIS) dhe mbështetësit e saj, janë tashmë të njohura për ne që e kemi përkrahur këtë lëvizje kryesore të opozitës iraniane për vite të tëra.

Në fakt, Arron Merat, autori i artikullit, është një mbrojtës shumë i njohur i regjimit klerikal dhe i presidentit të tij Hassan Rouhani, si dhe aktivist kundër PMOI/MEK. Ai nuk ka as standartet më minimale të gazetarisë për sa i përket çështjes së regjimit iranian dhe opozitës së tij. Intervistat dhe opinionet e tij gjatë periudhës para “zgjedhjeve presidenciale” të regjimit klerikal, si dhe artikujt dhe postimet e tij kundër PMOI-së, janë të disponueshme dhe të njohura gjerësisht.

Merat e ka vizituar vendbanimin e PMOI/MEK në Shqipëri më 16 gusht. Më 30 gusht, lajmi i vizitës së tij u publikua në një artikull të përbashkët nga Massoud Khodabandeh dhe e shoqja, Anne Singleton, dy agjentë shumë të njohur të MOIS. Fakti që ky çift janë agjentë të regjimit iranian është zbuluar në raportet e Pentagonit dhe të Bibliotekës së Kongresit të SHBA-së në dhjetor 2012. Nëse Merat po përgatiste një raport vetëm për The Guardian, pse ia kishte dhënë që më parë një kopje këtyre agjentëve të regjimit? Është e qartë se vizita e Merat tek vendbanimi i PMOI/MEK dhe artikulli ishin koordinuar me agjentët që më përpara. Kjo gjë u përforcua edhe më shumë më 9 nëntor, ditën e publikimit të artikullit, kur, brenda pak orësh, artiulli u përkthye dhe u publikua gjerësisht në një numër uebsitesh të kontrolluara nga MOIS, gjë që tregon nevojën e dëshpëruar të regjimit për këtë artikull dhe koordinimin e plotë të disponueshmërisë së tij.

Jam i tronditur që The Guardian ka pranuar të përhapë fabrikime kaq absurde e kaq të turpshme, të propaganduara nga një regjim i dëbuar që njihet gjerësisht si sponsor i terrorizmit ndërkombëtar. Vërtet, arrestimet e fundit të agjentëve iranianë në Europë e Amerikë, (duke përfshirë, sipas Arron Merat, një ‘diplomat iranian pa emër’), të cilët kishin planifikuar vrasje e sulme terroriste mbi anëtarë të opozitës iraniane, janë prova të qëllimeve të liga të këtij regjimi. Në fakt, diplomati është identifikuar pothuajse menjëherë si Assadollah Assadeh, një agjent kryesor i MOIS, që prezantohej si anëtar i stafit diplomatik në Ambasadën Iraniane në Vienë. Siç dyshohet, ai u kishte dorëzuar një bombë dy agjentëve të tjerë iranianë, me udhëzimin që të sulmonin tubimin e PMOI/MEK që do të bëhej në Paris në qershor, ku ishin të pranishëm politikanë të shquar si Rudy Giulliani dhe Newt Gingrich.

Përpjekja e Arron Merat për ta mbuluar këtë sulm flagrant terrorist jehon përsëri paralajmërimin e Volterit “Ata që të bindin të besosh absurditete, mund të të bindin të kryesh mizori.” Sjellja e mbrapshtë e Teheranit u ekspozua më tej kur, në gusht, Departamenti amerikan i Drejtësisë shpalli se kishte arrestuar dy agjentë të MOIS të cilët kishin marrë në shënjestër anëtarë të PMOI/MEK në SHBA. Vetëm dy javë më parë, policia parandaloi një komplot terrorist të regjimit iranian në Danimarkë dhe më 9 nëntor, media norvegjeze publikoi foton e të dyshuarit të arrestuar teksa merrte pjesë në një pritje zyrtare në Ambasadën Iraniane në Oslo, dhe qëndronte përbri ambasadorit!

Si ish-Anëtar i Parlamentit Europian (1999-2014), e kam ndjekur me vëmendje çështjen e PMOI/MEK në 18 vitet e fundit, që nga koha kur ata ishin në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak, e deri tani, dhe kam parë herë pas here prova të faktit se si regjimi i përdor burimet e tij të gjera për të njollosur refugjatët e PMOI/MEK dhe përkrahësit e tyre. Deklarata e Arron Merat se PMOI/MEK përkrahen gjerësisht nga e djathta, përputhet shumë mirë me idenë e përgjithshme të narrativës së tij, por sigurisht që është krejtësisht e pavërtetë. PMOI/MEK gëzojnë mbështetje të gjerë në mbarë spektrin politik nga e majta tek e djathta në shumë vende të botës. Z. Merat është mbështetur fuqimisht në agjentët e regjimit iranian, të cilët prezantohen si ish-anëtarë të PMOI. Kjo është një hile e njohur tashmë e shërbimit iranian të inteligjencës. Raportet e përvitshme të shërbimeve të inteligjencës në Perëndim, duke përfshirë Gjermaninë dhe Hollandën, e kanë theksuar për shumë vjet se individët që përshkruhen si “ish-anëtarë të PMOI” janë shënjestra kryesore të MOIS për t’u përdorur në fushatën e saj denigruese kundër Rezistencës Iraniane.

Fakti që “ish-anëtarët e PMOI-së” citohen kaq gjerësisht nga Merat si burimi i tij i informacionit vërteton sërish se burimi kryesor i këtij raporti s’është askush tjetër veçse MOIS. Këta ‘dezertues’ i kanë nxjerrë me mijëra herë këto gënjeshtra kundër PMOI/MEK në sitet e kontrolluara nga MOIS dhe IRGC. Asnjë nga këto pretendime, as edhe një i vetëm prej tyre nuk është i ri, përveç faktit që janë përditësuar për përdorimin e Arron Merat dhe për këtë artikull.

Akuzimet absurde të z. Merat kundër PMOI/MEK mund të hidhen njëlloj edhe kundër meje dhe mijëra përkrahësve nga të gjitha partitë politike dhe nga fe e etni të ndryshme, të cilët besojnë se lëvizja opozitare, e drejtuar nga karizmatikja znj. Maryam Rajavi, ofron një alternativë realiste demokratike ndaj regjimit aktual vrasës e misogjinist në Iran. Kjo gjë e fyen rëndë integritetin tonë kolektiv. Irani, pavarësisht kulturës së tij të pasur, të qytetëruar e të hapur, është bërë tashmë një i dëbuar nga komuniteti ndërkombëtar; dhe regjimi i tij fashist e klerikal dënohet për abuzimin e të drejtave njerëzore dhe për eksportimin e terrorizmit, ndërkohë që 80 milion shtetasit e tij të shtypur, më shumë se gjysma e të cilëve janë nën moshën tridhjetë vjeç, mezi arrijnë të ushqejnë familjet e tyre.

Me nisjen e fazës finale të sanksioneve të reja të ashpra të SHBA-së mbi Iranin, të cilat kanë në shënjestër eksportet e naftës, transportin detar dhe transaksionet financiare, regjimi klerikal është tashmë në panik total. Human Rights Monitor (HRM – Monitoruesi i të Drejtave të Njeriut) ka raportuar një rritje në ekzekutime, represion e abuzim ndaj të drejtave njerëzore gjatë muajit të shkuar, ndërsa mullahët përpiqen dëshpërimisht t’i përmbajnë trazirat në rritje, të cilat kanë bërë që protestat mbarëkombëtare të vazhdojnë për gati një vit. Sipas HRM, ka patur të paktën 22 ekzekutime në tetor, duke përfshirë një grua që ka qenë vetëm 17 vjeç në kohën kur ka kryer supozimisht krimin e saj. Ata raportojnë gjithashtu vrasje arbitrare, vdekje në burg, trajtim çnjerëzor, ndëshkime mizore, kushte të tmerrshme nëpër burgje dhe persekutimin e vazhdueshëm të minoriteteve fetare. Është për të ardhur keq që Arron Merat nuk i thekson këto fakte.

Muajin e shkuar, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi një raport 48-faqësh të titulluar “OUTLAW REGIME: A Chronicle of Iran’s Destructive Activities” (REGJIM I JASHTËLIGJSHËM: Një Kronikë e Veprimtarive Shkatërruese të Iranit). Në një parathënie, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo thotë: “Republika Islamike e Iranit nuk është një shtet normal. Shtetet normale nuk sulmojnë ambasada e baza ushtarake në kohë paqeje; nuk nxisin proksi e militantë terroristë; nuk shërbejnë si strehë për terroristët; nuk bëjnë thirrje për shkatërrimin e Izraelit e nuk kërcënojnë vende të tjera; nuk ndihmojnë diktatorë brutalë si Bashar al-Assad i Sirisë; nuk shpërndajnë teknologji raketash tek proksi të rrezikshëm; nuk kryejnë vrasje të mbuluara në vende të tjera; dhe nuk marrin peng shtetas të kombeve të huaja. Shtetet normale nuk e mbështesin terrorizmin brenda forcave të tyre të armatosura, siç ka bërë Irani me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe me Forcën e tyre Qods. Shtetet normale nuk abuzojnë me sistemin ndërkombëtar financiar e nuk përdorin industrinë tregtare për të financuar e mbështetur terrorizmin. Shtetet normale nuk shpërdorojnë resurset e veta natyrore. Shtetet normale nuk shtypin me dhunë protesta legjitime, nuk burgosin shtetasit e vet apo ata të vendeve të tjera për krime të paqena, nuk ushtrojnë torturë, dhe nuk u vënë kufizime të rënda lirive bazë.”

Me një ekonomi në shkatërrim e sipër, papunësi masive dhe me një pranim gjithnjë në rritje nga popullsia e re dhe e arsimuar iraniane se burimet e mëdha të naftës së Iranit janë keqpërdorur sistematikisht për të pasuruar mullahët dhe për të financuar luftëra proksi në Lindjen e Mesme, protestat mbarëkombëtare po lëvizin tashmë me këmbëngulje drejt një revolucioni të ri dhe përmbysjes së pashmangshme të regjimit klerikal fashist. Të dëshpëruar për të mbajtur pushtetin, mullahët e kanë rritur represionin dhe janë dëshpërimisht në kërkim të gazetarëve perëndimorë të cilët mund të binden që ta njollosin e ta denigrojnë PMOI/MEK, të cilët i shohin si kërcënimin më serioz.

Është e trishtueshme që ka ende paqësues në shtypin perëndimor dhe në qarqet politike, të cilët janë të gatshëm t’i mbyllin sytë ndaj abuzimit të të drejtave njerëzore, ekspansionizmit agresiv ushtarak, sponsorizimit të terrorizmit dhe luftës kibernetike të Republikës Islamike të Iranit. Ata besojnë se është më mirë të bëhet ‘dialog konstruktiv’ me një nga regjimet më të liga të botës, sesa të ndërmerret një përqasje e rreptë dhe të kërkohet që Irani të sillet, duke përsëritur fjalët e Mike Pompeo, si ‘një shtet normal’. Gazetarët që përpijnë në mënyrë naive çdo grimë keqinformimi për opozitën iraniane dhe çdo copëz propagande për regjimin, vetëm sa i trimërojnë mullahët fashistë dhe tiraninë e tyre klerikale. Këta ‘idiotë të dobishëm’ shfaqen herë pas here nëpër gazeta, radio dhe televizione në BE e në Amerikë, duke u bërë jehonë paraardhësve të tyre që ndjekën një rrugë të ngjashme të pandershme gjatë ngritjes së nazistëve dhe zgjedhës së Bashkimit Sovietik.

*Koordinator i Fushatës për Ndryshimin e Iranit, ka qenë anëtar i Parlamentit Europian, përfaqësues i Skocisë (1999-2014), president i Delegacionit të Parlamentit për Marrëdhëniet me Irakun (2009-14) dhe kryetar i Intergrupit Miqtë e një Irani të Lirë (2004-14). Ai është lektor ndërkombëtar mbi Lindjen e Mesme dhe është gjithashtu president i Shoqatës Euorpiane për Lirinë e Irakut (EIFA) Bota.al