Nga Mero Baze/

Dy ditët e fundit, pasi kaloi pauza e gjatë e pushimeve të Vitit të Ri, ka filluar diskutohet sërisht, tashmë nga aktorë të qartë politikë, rifillimi i protestës së studentëve. Bashkë me PD e LSI, që janë aktive si financiarisht dhe politikisht në këtë riorganizim, vazhdon po ashtu një bërthamë e Lëvizjes për Universitetin, të jetë po ashtu aktive për rigrumbullimin e studentëve.

Debati më i nxehtë këto ditë ka qenë se ku do mblidhen dhe a do mblidhen bashkë dhe duket që është një rivalitet i grupit të studentëve që drejtohen nga Arlind Qorri me PD dhe LSI, që duket se tani janë zotë të protestës.

Por e vetmja gjë që nuk është diskutuar, biles në asnjë fjalim apo debat, është plotësimi i pikave nga qeveria.

Në fund të vitit që shkoi qeveria ofroi një paketë përmes VKM-së për përgjysmim të tarifave, përshkallëzim të tyre, dhe një sërë masash të tjera sa i përket kushteve dhe Vettingut të gradave shkencore në Universitet, për një arsim më cilësor. Qeveria thotë se ajo ka plotësuar më shumë pika se sa kërkojnë studentët, por kjo është një anë e medaljes. Ana tjetër është që organizatorët e sforcuar të protestës së studentëve, nuk kanë bërë asnjë debat për këtë çështje. Dhe mungesa e debatit për realizimin e kërkesave është bërë thuajse me dhunë, nga opozita që ka zaptuar ish protestën e studentëve.

Të vetmin debat që kam parë ka qenë ai i dy studentëve nga Fakulteti Ekonomik, njëri prej të cilëve u ankua se një vajzë politikani socialist do të thyejë grevën dhe një tjetër që tha, se ne nuk kemi besim tek VKM-ja e qeverisë, se VKM-të, Edi Rama i hedh prap poshtë, siç hodhi atë që ishte më parë.

Pra nuk ka deri më sot asnjë debat serioz për çfarë ka realizuar dhe çfarë nuk ka realizuar qeveria në lidhje me kërkesat e studentëve, nga organizatorët e protestave, çka tregon se ata janë të fokusuar në vetvete tek protesta si zgjidhje politike dhe jo tek kërkesat reale të studentëve.

Madje organizatorët opozitarë të protestës, duken më shumë të tërbuar që qeveria ka dhënë zgjidhje dhe ka bërë ndryshime, se sa sikur të mos kishte reaguar fare.

Thirrja që protestës së studentëve t’i bashkohen grupet e tjera sociale në Tiranë, siç janë banorët e Astirit, dhe populli I zakonshëm, e bën atë tashmë një protestë politike opozitare, në përpjekje për t’u maskuar pas studentëve. Por mbi të gjitha i heq kuptimin dhe ultimatumit të dikurshëm për kërkesat që tashmë askush nuk thotë dot që nuk janë realizuar, pasi po kthehet nga një debat politik për arsimin, në një debat sintaksor, për atë çfarë kërkohet në fjalitë e studentëve dhe çfarë thuhet në VKM.

Sot asnjë student që po përdoret për të mbajtur gjallë një protestë që nuk është studentore, nuk di të thotë çfarë ka plotësuar qeveria, ashtu si shumica e tyre në fakt, nuk kanë ditur deri dje as çfarë kanë kërkuar. Por të bësh sikur qeveria nuk ka reaguar ndaj kërkesave, dhe të kesh argument të vetëm faktin se ato janë realizuar me VKM dhe jo me ligj, tregon që, ata që po merren me protestën e studentëve, janë të shqetësuar nga plotësimi i kërkesave dhe nuk duan të flasin për to, por për protestën si qëllim në veteve, pasi atë kanë objektiv politik.

Dhe për këtë nuk ke çfarë diskuton vërtet, pasi qeveria ka plotësuar kërkesa studentësh, jo kërkesat e PD, LSI apo ndonjë grupimi të ri që tenton të hyjë në politikë përmes studentëve. Protesta e nesërme është një miting i zakonshëm opozitar, por në emër të studentëve, meqë vetë u ka dalë boja dhe u vjen turp të bëjnë protesta në emër të opozitës. Pra studentët dhe kërkesat e tyre, nesër janë maskë për opozitën që ka kaluar në ilegalitet dhe nuk guxon as të thotë që protesta bëhet në emër të saj. Kanë pesë vjet në rrugë dhe e kanë parë që janë vetëm. Tani të maskuar si studentë, shpresojnë të duken më të rinj dhe më të pranueshëm.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here