Nga Elda Shabani

“Lulet ishin të panevojshme, sepse në orën dy , një serrë mbërriti nga Getsbi me vazo të panumërta. Një orë më vonë dera e përparme u hap me nervozizëm dhe Getsbi me një kostum të bardhë, kemishë argjendi dhe kravatë ngjyrë ari hyri me nxitim. Ai ishte i zbehtë dhe poshtë syve i shquanin rrathët e zinj të pagjumësisë.”
Fitzgerald

Autori Scott Fitzgerald në kryeveprën e tij “Gatsbi i Madh” pasqyron modelet e viteve 1920 ku nëpërmjet simbolit të ngjyrës, i cili i ka përdorur ato pa u kursyer, në mënyrë që lexuesi të njihet dhe të kujtojë më shumë personazhin sesa thjesht vetëm emrin e tij. Një nga ngjyrat kryesore të “Getsbi i Madh” është e bardha. E bardha paraqet pafajësinë dhe pastërtinë e Getsbit përballë ndjenjave që ai kishte ndaj Dejzit. Në takimin e tij të parë me Deizin, ai ka mban të veshur një kostum të bardhë.

Tom Wolfe, gazetari dhe shkrimtari amerikan krijoi individualitetin e tij tërësisht unik dhe origjinal me kostumin e bardhë, të cilën e preferonte jo vetëm në stinën e verës por edhe në ditë të ftohta të dimrit duke e bërë markën e tij të përhershme. Kostumi i bardhë e bëri atë të dukej, një personalitet tejet origjinal dhe shumë i intrigues. Kështu Wolfe njihet sot si njeriu me kostum të bardhë.

Në ditët e sotme, pantallonat e bardha janë të lidhura me stinën e verës në ditë të nxhehta me diell. Por a i shohim ato në rrugët e qytetit? Natyrisht! Vetëm nëse do të ndodheshim në rrugët e Romës, Milanit apo Parisit, por nuk do t’i prisja t’i shikoja shpesh në rrugët e Tiranës, aq më shumë nëse do të shkonim më në veri apo më në jug të vendit, pikërisht aty ku tirqet e bardha tepër të ngushta pas trupit apo edhe fustanellat e bardha të luftëtarëve shqiptarë u shfaqen si ‘moda e parë për meshkuj” dhe sot shihen si relike e kohëve të lashta.

E nëse ecim në kohë, shumë artistë të huaj kanë trajtuar temën shqiptare kryesisht ata të shekullit 17-19-te duke u tërhequr nga bukuria e veshjeve të vendit tonë. Ata kanë sjellë në punimet e tyre skena nga jeta e përditshme e kohës.. me veshjet e tyre të bukura tërheqëse jo vetëm për nga ngjyra dhe linja elegante, por gjthashtu për nga larmishmëria dhe krenaria shqiptare.

Ndikimi i Bajronit për veshjen shqiptare ka qenë i menjëhershëm për sytë e artistëve evropianë të cilët ishin në kërkim të vendeve të panjohura dhe të paprekura më parë artistikisht. Vlerësimi I Bajronit për kostumin shqiptar ishte, si më madhështori në botë, që të kënaq syrin kur i sheh të zbukuruar me atë madhështinë e bardhë , të kuqe dhe të artë..

Sot, për pjesën më të madhe të meshkujve shqiptarë – ngjyra e bardhë, veçanërisht pantallonat e bardha ose një kostum i bardhë veror deri diku e konsiderojnë shumë femëror dhe delikat duke i dhënë një interpretim të gabuar. Ky hezitim reflektohet me mungesë të konsiderueshme në dyqanet e veshjeve për meshkuj, ku vështirë do të gjeje një kostum të bardhë apo në nuanca të tjera. Pa dyshim, në qytetet e mëdha një stereotip i tillë ngadalë po dobësohet. Ndërkohë, pantallonat e bardha duken shumë elegante dhe gjithmonë janë përqafuar nga një klasë e lartë e shoqërisë perëndimore. Ata gjithashtu kanë avantazhin sepse mund t’i veshësh me të gjitha ngjyrat. E bardha e kombinuar me ngjyra ekspresive, do të tregojë të gjithë bukurinë dhe fuqinë e saj.

Sigurisht , një mashkull do të ishte po aq sharmant edhe pa një kostum të bardhë, por ai nuk do të ishte kaq interesant apo eksentrik. Të jesh i tillë është më shumë sesa thjesht nje person tërheqës, pasi je plot kontradita dhe hijezime, zhgënjime dhe kënaqësi. Një mashkull i tillë është magjepsës dhe duhet parë me shumë maturi dhe kujdes. Të jesh tërheqës vetëm është të bëhesh pjesë e një epoke te caktuar, por të jesh origjinal e tejkalon këtë kufi duke qëndruar shumë larg, sepse nuk ekziston sensi i kohës dhe Ti je njëjës.

Prandaj, e bardha kërkon besim dhe sinqeritet dhe sikurse thotë edhe Wolfe, vështirë të harrosh një burrë të veshur me kostum të bardhë.