Nga Alfred Peza

Shuplaka e studentëve për qeverinë, ka nisur që të japi efektet e para të saj, mbi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama. Kjo shihet jo vetëm tek ftesat, e më pas tek dialogu direkt nëpër studiot televizive dhe nëpër universitete. Eshtë më shumë se kaq. Shumë më tepër se kaq, e gjitha kjo.

U panë efektet e shuplakës së studentëve për qeverinë, tek analiza e thellë dhe shteruese, si kurrë më parë pas 2013, në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PS. Mbi 5 orët e atij takimi, më shumë se çdo gjë tjetër, ishte nisja e një procesi reflektimi të thellë që shkon përtej 8 kërkesave të studentëve.

U panë efektet e shuplakës së studentëve për qeverinë, tek “Pakti mbi Univeritetin”, me 11 vendimet e Këshillit të Ministrave dhe 4 urdhërat e Kryeministrit që meren posaçërisht me nisjen e zgjidhjes shteruese jo vetëm të 8 kërkesave të studentëve, por shumë më tepër se kaq.

U panë efektet e shuplakës së studentëve për qeverinë, tek nisja e punës për paketën 8+. Ose e thënë ndryshe, për zgjidhjen edhe të shumë problematikave të tjera rreth universitetit dhe botës akademike shqiptare në përgjithësi, përtej kërkesave të studentëve. Zgjidhje këto që i japin më shumë kuptim dhe vlerë, nevojave aktuale të studentëve, por edhe prespektivës së tyre në raport me meritokracinë, tregun e punës dhe të ardhmen pas diplomimit. U panë efektet e shuplakës së studentëve për qeverinë, tek një ndjeshmëri dhe përkujdesje më e madhe e saj këto ditë për grupet në nevojë, siç ishte rasti i shpërblimeve për vitin e ri, por edhe i rritjes së pagës minimale për të gjitha kategoritë, si dhe fiksimi i shpërblimit për orë pune.

Këto hapa bëjnë që edhe në Shqipëri, nga pikëpamja e legjislacionit, të thellohen disa standarte europiane që zgjerojnë perimetrin e çadrës sociale, në mbrojtje të të varfërve dhe shtresave të tjera në nevojë. Hapa këto që do të thellohen edhe më shumë në drejtime të tjera, përfshi minimumit jetik, paketën e ndihmës dhe solidaritetit social. Politika këto që i shkojnë për shtat jo vetëm një vendi ende të varfër si Shqipëria, por edhe programit të një partie të majtë, si Partia Socialiste.

Efektet e shuplakës së studentëve për qeverinë dhe mazhorancën, do të shihen në vijim, sidomos përgjatë 2019, pikërisht në këtë drejtim. Në këtë linjë dhe në këtë prespektivë. Ndjeshmëria e treguar nga mazhoranca në vijimësi, por sidomos me 15 vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave dhe urdhërave të kryeministrit, tregojnë se mekanizmi i madh gjigand i qeverisjes, ka nisur të ndjekë rrymën e shqetësimëve të të rinjve.

Hapi “i vogël” i hedhur nga qeveria, pritet të sjellë një ndryshim të madh për studentët, për arsimin e lartë dhe prespektivën e të diplomuarve në tregun e nesërm të punës. Së pari, nëpërmjet paketës së “Paktit mbi Universitetin” qeveria i hapi rrugë në mënyrë institucionale zgjidhjes së problemeve financiare për të gjithë ata që realisht kanë nevojë për të ndjekur studimet e larta, pavarësisht shtresave sociale nga vijnë.

Së dyti, paketa ia kaloi “barrën” e lehtësisë financiare, vetë studentëve duke e lidhur masën e ndihmës nga ana e shoqërisë, me mekanizmin e rezultateve reale të tyre. Sa më mirë të jetë nesër e tutje dikush në vlerësimin universitar, as më pak do të paguajë për shkollimin e tij.

Së treti, masat e mara nga qeveria dhe Kryeministri, krijojnë më në fund një mekanizëm efikas që stimulon lidhjen e ekselentëve me tregun e punës, duke i dhënë mundësinë një fashe relativisht të madhe të studentëve më të mirë, që të punësohen në administratë menjëherë pas përfundimit të universitetit.

Së katërti, këto masa kanë ecur paralel me zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të një elementi kyç që ka dëmtuar deri më sot universitetet. E ajo ka të bëjë më kontrollin dhe transparencën mbi financat e saj. Tani e tutje, do të jenë vetë studentët që do të kontrollojnë drejtimin administrativo-ekonomik të shkollave të tyre.

Sëfundi, përveçse kontrollit administrativ e efinanciar, me “Paktin mbi Universitetin” zgjidhet më në fund edhe kontrolli i cilësisë së mësimdhënies dhe i nivelit shkencor të pedagogëve, nëpërmjet mekanizmit të kontrollit të dosjeve të tyre profesionale, e sidomos sistemit të titujve e gradave shkencore. Të gjitha këto, realisht krijojnë kushtet dhe mundësitë, që nëpërmjet këtij “hapi të vogël” të hedhur sëfundi nga qeveria, Universiteti të bëjë ndryshimin e madh e të munguar, që kanë kërkuar prej dy javësh në shesh studentët e vërtetë.