Nga sot, 103 familje nga komuniteti rom dhe egjiptian nuk do kenë më nevojë që të shesin rroba në rrugë, jashtë çdo standardi, në mes të pluhurit dhe shiut. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë hapën sot tregun e parë publik të rrobave të përdorura në Shkozë për nxitjen e vetëpunësimit dhe tregtinë ambulatore të komunitetit rom dhe egjiptian.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky treg i jep dinjitet tregtisë së një komuniteti që ka shoqëruar zhvillimin e shoqërisë shqiptare në vitet e tranzicionit. “Në këto 4 vite kam mësuar se njerëzit ndahen në dy kategori: ata që bëjnë gam-gam për çdo gjë dhe njerëzit që bëjnë punë. Sa herë që kemi pasur një sfidë që duhej zgjidhur kemi preferuar të mos jemi nga ata që bëjnë seminare, konferenca, trajnime, ëorkshope e raporte; sa herë ka qenë nevoja për të zhvendosur një treg nga Bregu i Lumit, në Lanabregas, në Shkozë ose të strehojmë njerëz në banesa sociale, këtë kemi bërë”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se hapja e këtij tregu është mundësi punësimi për shumë familje në nevojë të përjashtuara nga taksa për hapësirën publike, por duke nxitur formalizimin dhe arsimimin e familjeve të këtyre dy komuniteteve.

“Jam i lumtur sepse sot pashë edhe Elidonin, djalin që kam takuar ditën e parë kur nisa punë në Ministrinë e Mirëqenies, i cili kishte thyer këmbën pasi e kishte përplasur autobusi kur ish-bashkia e nxorri në rrugë. Sot Elidoni jeton në një banesë sociale, një nga prindërit punon për Eco Tiranën, që është agjencia jonë e pastrimit, nëna do të shesë këtu në tregun e rrobave të përdorura. Duke dhënë shembullin e Elidonit, u kemi dhënë dinjitet të gjithë ‘Elidonëve’ të këtij komuniteti, sepse i kemi larguar nga rruga, nga kryqëzimet, nga pluhuri, nga vendi ku aksidentohen, dhe i kemi sjellë në një ambient dinjitoz, ku mund të punojnë shumë më mirë”, shtoi Veliaj.

Veliaj i bëri apel edhe organizatave të tjera që veprojnë në Tiranë që nën këtë shembull të kontribuojnë për realizimin e projekteve konkrete që u vijnë në ndihmë grupeve të ndryshme sociale. “Dua t’i ftoj të gjithë donatorët: nuk kemi më nevojë për raporte, e dimë çfarë nuk funksionon, kemi nevojë për ndihma konkrete. Ndihma që na dha Fondacioni i Shoqërisë së Hapur është tipikisht sa kushton një raport 1-vjeçar për të monitoruar komunitetet. Sikur në vend të raporteve, të bënin një shtëpi, një mensë sociale, një treg, do kishim zgjidhur shumë nga këto probleme”, tha Veliaj.

Në përurimin e tregut mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetja e PS, Elona Gjebrea dhe drejtori i OSFA-s, Andi Dobrushi./