Aksi rrugor i cili lidh Bashkinë e Durrësit me atë të Shijakut pritet të ketë shumë shpejt një pamje krejt tjetër. Aktualisht ka nisur puna nga ana e Ujësjellës-Kanalizime Durrës, për rikonstruksionin e rrjetit të kanalizimeve ndërsa pas përfundimit të tyre Autoriteti Rrugor Shqiptar do të ndërhyje për rehabilitimin, mirëmbajtjen dhe asfaltimin e rrugës në fjalë, e cila deri më sot për shkak të mungesës së investimeve në rrjetin e infrastrukturës së kanalizimeve, dhe ndërhyrjes së paautorizuar të qytetarëve dhe bizneseve, ka pësuar dëmtime të rënda.

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, drejtori i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës- Kanalizime, Alqi Bllako dhe drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, Spartak Kovaci, inspektuan nga afër nisjen e punimeve nga ana e Ujësjellës-Kanalizimeve.

“Projekti prek dy bashkitë, Bashkinë Durrës dhe Bashkinë Shijak. Do bëhet rikonstruksioni i tubacionit kryesor nga Mulliri i Bullgarit deri në afërsi të Urës së Shijakut dhe komplet rrjeti shpërndarës në të dyja krahët e rrugës. Do të garantohet furnizim me ujë në të gjithë këtë zonë e cila ndër vite ka pasur problematikë shumë të madhe”, u shpreh Kovaci.

Drejtori i AKUK , Alqi Bllako tha se rrjeti aktual i Ujësjellës-Kanalizimeve që shtrihet në këtë zonë është tërësisht i amortizuar ndërsa sqaroi edhe detajet e investimit të ri që do të bëhet. “Projekti konsiston në rehabilitimin e rrjetit të jashtëm, në një gjatësi prej 2.7 kilomentrash, 6 kilometra rrjet i brendshëm, do të ndërtohen 72 kaseta shpërndarëse si dhe do të bëhen lidhjet me matësat për konsumatorët. Vlerë tjetër të shtuar sa i përket këtij projekti pasi linja e re e transmetimit e cila do të ndërkohë do të shërbejë edhe si një linjë rezervë për furnizimin me ujë të qytetit të Shijakut. Projekti do ti bashkohet shumë shpejt edhe një projekt i ri i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili do të mbulojë një zonë më të gjerë, pra zonën e Xhafzotaj, Katundit të Ri dhe Arapajt duke siguruar 24 orë ujë të pijshëm për të gjithë banorët e kësaj zone”, tha Bllako.

Nga ana e asaj, drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato, bëri të ditur se pas përfundimit të punimeve nga ana e ujësjellës-kanalizimeve do të nis menjëherë puna për rehabilitimin, mirëmbajtjen dhe asfaltimin e rrugës me një gjatësi prej 4.9 kilometrash.

“Çdo investim që mund të bënte ARRSH-ja, Autoriteti Rrugor Shqiptar, nëse nuk fillonim punimet, sikurse janë duke filluar tani për ujësjellësin, kanalizimet dhe kullimin e ujërave të infrastrukturës rrugore do të ishte e pamundur që të realizohej një infrastrukturë e cila të ruante qëndrueshmërinë e rrugës. Ndaj fillimi i punimeve për ujësjellës-kanalizimet është një haber shumë i mirë për banorët e zonës por edhe i hap rrugën Autoritetit Rrugor Shqiptar që menjëherë të marri masa për të siguruar në vijim ndërhyrje të menjëhershme për sistemim dhe asfaltimin e kësaj rruge që është mjaft e amortizuar”, theksoi Qato.

Aksi rrugor që lidh Durrësin me Shijakun prej vitesh kishte degraduar duke u kthyer në një shqetësim për gjithë banorët teksa këta të fundit kanë kërkuar disa herë që të ndërhyhet në këtë aks. Tashmë ky shqetësim i trashëguar prej vitesh kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes.