Ekipi i Ajaksit mbrëmjen e djeshme dhuroi surprizën teksa u kualifikuan për në gjysmëfinale pasi eliminuan në Torino, Juventusin. Bardhezinjtë të cilët ishin një nga skuadrat pretendente për triumfin final, u shkërmoqën nga futbolli të cilin aplikuan holandezët. Në fakt, nuk ishte një rastësi sepse loja që zhvillon Ajaksi, nuk ka të bëjë aspak me rastësinë. Ajo është një model i ndërtuar prej kohësh teksa tashmë duket se ky brez lojtarësh ishin te duhurit për ta transmetuar në mënyrën më perfekte.

Futbollist të rinj në moshë, të talentuar, lojë e shpejtë e kolektive dhe pasime të cilat nuk shpërdoroheshin dhe nuk përfundonin kurrë deri në lodhje të kundërshtarit. Në këtë formë Juventusi, u dorëzua para filozofisë holandeze, ndërsa tashmë Ajaksi është në vëmendjen e të gjithë botës së futbollit.

Ndërkaq, duke ditur se futbolli i aplikuar është ai i ish-legjendës së madhe të Holandës Johan Krujf, titulli më interesant për të përmbledhur në pak fjalë Ajaksin dhe lojtarët e saj ishte ai gazetës portugezë ‘A Bola’ e cila i etiketoi si: “Nipërit e Krojf”.Një përgjegjësi e madhe për lojtarët e talentuar të Ajaks, por fakti është se holandezët janë një realitet dhe se kanë fituar siguri duke mos u ndrojtur nga emrat e skuadrës përballë.

Tashmë Ajaksi ka përpara gjysmëfinalet por e sigurt është se holandezët nuk ndërrojnë lëkurë dhe kundërshtarët duhet të gjejnë strategjinë për t’i ndalur pasi deri më tani viktima kanë mbetur dy klube ‘big’ të Europës si, Real Madrid dhe Juventus.