Nga studio e ERTV ku ishte e ftuar për të folur për projektet ambicioze të zhvillimit në qarkun e Lezhës, drejtuesja politike e partisë socialiste për këtë qark, Lindita Nikolla, ka ndarë me lezhjanët lajmin e mirë se do të ketë një investim të ri në spitalin e Lezhës, që do të mundësojë shërbime të reja spitalore. Ndërkohë që tashmë ky qark ka përfituar edhe nga programi kombëtar i rindërtimit të qëndrave shëndetësore, mes të cilave, më e fundit që është rindërtuar, është ajo e Treshit të Lezhës.

“Në kuadër të programit kombëtar të rindërtimit të qëndrave shëndetësore është rindërtuar qëndra shëndetësore në Tresh të Lezhës, por lajmi i mirë për banorët është që edhe në spitalin e Lezhës do të ketë një investim në buxhetin e ardhshëm, një investim madhor për të mundësuar shërbime të shtuara dhe me standarde të reja spitalore”, tha Nikolla.

Deputetja deklaroi se partia socialiste është përfshirë intensivisht në komunikimin me banorët e Lezhës, për të ndarë jo vetëm cfarë është bërë, por edhe për të dëgjuar se cfarë duhet bërë më mirë në vazhdim.

Më herët, nga Lezha, gjatë takimit në kuadër të turit “Për bashkinë që duam”, Kryeministri Rama e cilësoi komunikimin me qytetarët si pjesë të pandashme të procesit qeverisës.