Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i ftuar në emisionin Top Talk, i pyetur për grabitjen në aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, u shpreh se akti është shumë i rëndë, por policia ka mbledhur provat të rëndësishme për kapjen e autorëve. Ai garantoi se nga sot aeroporti është më i sigurt.

“Është një punë intensive. Policia e Shtetit është e fokusuar në zbulimin e autorëve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, tha Lamallari.

“Sapo morën njoftim Forcat Policore mbërritën në vendngjarje ku pati dhe një shkëmbim zjarri dhe pati dhe një jetë të humbur në krahun e autorëve”, tha Lamallari.

“Hetimi është intensiv dhe shumë shpejt do kemi rezultate konkrete nga hetimi”, tha zv ministri i Brendshëm.

“E kam të qartë që gjetja e parave është element shumë i rëndësishëm, por ke ajo që dua të vë theksin është te vendosja para përgjegjësisë e autorëve. Ajo që është e rëndësishme është fakti se u cenua siguria kombëtare, u cenua siguria në një nyje nevralgjike të vendit tonë, siç është aeroporti i vetëm ndërkombëtar në Shqipëri. Dhe kjo është çështja kryesore që duhet të fokusohet debati. Të kuptojmë se si ishte komunikimi mes hallkave. Duhet të kuptojmë pse ndodhi kjo. Objekti është i një rëndësie të lartë, dhe ai duhet të ishte ambient më i sigurt në vend dhe në këtë vend mjaftuan vetëm mjete prerëse për të hyrë në pistë dhe kjo ka ndodhur dhe më parë dhe në këtë rast kemi element të cenimit të sigurisë të aeroportit”, deklaroi Lamallari më tej.

Sipas Lamallarit, përgjegjësia është e koncesionarit.

“Përgjegjësia është e shumë aktorëve, por nga korrespondencat mes policisë dhe koncesionarit, ka 10 rekomandime nga policia për forcimin e parametrave të sigurisë. Gjithmonë Policia e Shtetit i ka adresuar koncesionarit shqetësimin për të marrë masat e nevojshme, pasi siguria ishte përgjegjësi e koncesionarit. Nga dita e djeshme, situata e sigurisë në Rinas është marrë nga policia”.

Kur u pyet se kush do të mbante përgjegjësi nëse avioni merrej peng, zv.ministri i Brendshëm theksoi se për çdo person të paautorizuar “që futet në pistë, me apo pa armë, përgjegjëse është shoqëria (koncesionari)”.

“Nuk është akt terrorist. Është patjetër një akt shumë i rëndë, por jo terrorist. Detyra e Policisë së Shtetit është të vendosë para drejtësisë autorët. Kjo është detyra e policisë që ka mbledhur prova të rëndësishme lidhur me ngjarjen”, tha zv ministri i Brendshëm.