Ata ende nuk ishin kthyer nga zonat e lira, ku u detyruan të shkonin bashkë me vëllanë tim ilegal dhe të sëmurë, kur i informuan se do ti arrestonin.
Siç do mësoja më vonë, shtatë herë ishte kontrolluar shtëpia ime, shpesh nën drejtimin e vetë Man Kukaleshit, spiuni numër 1 i Qazim Mulletit. Shkak për këtë, siç u mor vesh nga brenda, u bë një spiun që banonte në rrugicën tonë, i cili kish raportuar sikur ne kishim në shtëpi radiotransmetuese.
Ndoshta ai kishte pikasur edhe hyrje daljet, njerëzit që merrnin e jepnin me nënën time letra, komunikata, trakte etj. Por edhe ata që hynin e rrinin aty, siç ishin korrierët e disa qarqeve, që siç e kam shënuar diku, e kishin bazën në shtëpinë time.

Meqë nuk gjeta njeri në shtëpi, u nisa tu bëja surprizë prindërve të Enverit. Ata banonin në një shtëpi përdhese me dy dhoma, që binte te një rrugicë te unaza e Trenit, përballë me shtëpinë e Bije Vokshit, ku u themelua Organizata e Rinisë Komuniste të Shqipërisë. Hyra tërë gëzim në shtëpi dhe kur më panë ata edhe u habitën, por edhe u kënaqën pa masë.
Menjëherë më mbuluan me pyetje të shumta për Enverin. Babai, xha Halili u interesua edhe për qeverinë e re që qe formuar në Berat, deri edhe për ministrat, disa prej të cilëve i njihte se ishin gjirokastrite, si: Dr. Nishani e ndonjë tjetër.

Atë ditë më mbajtën për darkë dhe në kundërshtim me zakonet e kohës, ende e fejuar, fjeta një natë në shtëpinë e burrit, në një dhomë me Sanon, pikërisht te krevati i vetëm prej hekuri të Enverit mbuluar me qëndismat e tantellat e Sanos, që i vëllai i kërkoi të mos dalë partizane, por të kujdeset për prindërit pleq dhe të punojë në terren me këshillat antifashiste të grave, gjë, që e bëri me vendosmëri dhe guxim deri në çlirim, madje edhe më vonë, me veprimtarinë e saj shoqërore si ndihmës gjykatëse etj. Me dinjitet dhe modesti shembullore, si motër e denjë e Enverit.

Të nesërmen që në mëngjes, shkova në zyrat e Komitetit të Partisë për Tiranën, ku takova dhe u çmalla me Gogo Nushin, një nga sekretarët e rinj Xhaferr Spahiun, shokun tonë, bashkëpunëtor i pandarë në shtypin e rinisë, shkrimtarin shumë të respektuar dhe padrejtësisht të harruar, Shefqet Musaraj. Që andej, kalova në zyrat e shtabit për Tiranën, që të takoja komandantin trim që drejtoi luftimet e brigadave dhe divizioneve partizane për çlirimin e Tiranës, shokun Mehmet Shehu, ku gjeta edhe Fiqretin, me të cilën dolëm dhe u ramë disa rrugëve të Tiranës dhe pamë se si ishte katandisur ish-rruga e quajtur “Mbretnore” nga barrikadat partizane, guerilasit dhe vullnetarët qytetarë.

Hymë në Pazarin e vjetër, aty ku ishte bërë gërmadhë i gjithë pazari. U ngjitëm lart nga rruga e Dibrës, ajo që të çon te spitalet. Në ato zona, majtas e djathtas, kishim shumë baza strehimi gjatë ilegalitetit tonë.

Në rrugën e quajtur e Shelegëve, pikërisht ku ka qenë baza e parë e arkivit të KQ provizor të PKSH-së, të porsaformuar, kish ndodhur një ndeshje me armë, mes guerilasve tanë dhe një kompanie nazistësh, ku ishin vrarë nja 3-4 nazistë dhe si hakmarrje qenë djegur shumë shtëpi.

Drekë, hëngrëm në mensën e KQ të Rinisë, që ishte ngritur poshtë zyrave të këtij, në ish-ndërtesën e Luogotenencës, në rrugën e Elbasanit. Aty takova shokë e shoqe të qarkorit të rinisë, po vetëm një shoqe, që ishte nga qarkori i vjetër i vitit 1942, që kish qenë edhe në mbledhjen e fundit me Qemalin, që e bëmë, te lagjja që mban emrin “Ali Demi”, te shtëpia e patriotit Hysen Dashi, ose siç i thonim shkurt te “66-ta”.

Ngarkova shoqen, mundësisht të gjente shokët e mbledhjes së asaj nate, në mos, edhe shokë e shoqe nga qarkorët e mëvonshëm të rinisë, sepse pasdreke në ora 16 do të shkonim në bulevardin e demonstratave të plotësonim një dëshirë të shokut tonë, Qemalit.

Çfarë qe ajo dëshirë? Atë natë mbledhja u ndërpre shpesh herë, pasi qe një natë shumë e tensionuar, e shkaktuar nga kori i lehjeve të qenve, nervozë nga lëvizjet e patrullave. Për të çtensionuar gjendjen shpirtërore të atyre djemve dhe vajzave, që kishin marrë përsipër të luftonin në moshë aq të re, Qemali, shprehu një dëshirë që ai nuk e realizoi dot, dhe neve na e la kujtim e peng që nuk harrohet.

Ai tha gjithë gaz dhe optimizëm: “…do të vijë edhe dita jonë…e lirisë dhe kështu siç jemi do të dalim në bulevard duke kënduar dhe bërtitur…le të thonë ç’të duan, le të na quajnë si të duan, të marrë etj, etj, vazhdoi ai në këtë frymë si një i ri, sikur ishte i barabartë me to, por që ishte një psikolog i përkryer.

Dhe ne, bëmë siç dëshironte ai: thirrëm, kënduam e qeshëm, po me sy të lotuar duke kujtuar shokun tonë, heroin e lavdishëm të rinisë. U interesova se ku mund të flija. Më thanë, se më kishin rezervuar një dhomë në hotel “Dajti”, bashkë me një shoqe. Hyra për herë të parë në atë hotel, që m’u duk madhështor. Në fakt ishte prezantues dhe funksional e na nderoi gjatë dekadave të shtetit socialist.

Dhoma ime ishte e thjeshtë dhe komode, binte nga ana e pasme. Nga ana e përparme, dhomat kryesore të gjumit ishin të mëdha dhe me sallone në parahyrjen e tyre. Një e tillë i qe caktuar Enverit, si Kryetari i Qeverisë së re Demokratike.