Më pak se dy javë nga zgjedhjet e rëndësishme për Parlamentin Europian, një sërë portalesh dhe llogarish mediash sociale të lidhura me Rusinë apo grupe të së djathtës ekstreme po përhapin dezinformim për nxitjen e mosmarrëveshjeve dhe thellimin e mosbesimit në partitë e qendrës, që kanë qeverisur prej dekadash.

Ekspertët, akademikët dhe grupet e të drejtave në Bashkimin Europian shprehen se tentativat e reja të dezinformimit i bashkojnë të njëjtat gjurmë dixhitale apo taktika të përdorura në sulmet e mëparshme ruse, përfshirë edhe ndërhyrjen e Kremlinit në fushatën presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Portale dytësore komentuese të politikës në Itali, për shembull, kanë të njëjtat sinjale elektronike si portalet mbështetëse të Kremlinit, ndërsa dy grupe politike gjermane kanë të njëjtat servera, që përdoren nga piratët rusë, të cilët sulmuan Komitetin Kombëtar Demokratik.

Aktiviteti shpesh ofron prova të reja që, pavarësisht padive, dëbimeve dhe ankesave, Rusia mbetet e pafrenuar në fushatën e saj për thellimin e përçarjeve politike dhe dobësimin e institucioneve perëndimore. Pavarësisht përpjekjeve për sigurinë kibernetike nga kompanitë amerikane të teknologjisë, mbetet ende më e thjeshtë të përhapësh informacione të rreme, sesa t’i parandalosh ato.

Rusia mbetet një fuqi nxitëse, por hetuesit kanë zbuluar edhe kopjacë të shumtë, veçanërisht në radhët e së djathtës ekstreme. Këto grupime shpesh u bëjnë jehonë temave dhe argumenteve të Kremlinit duke e bërë të vështirë dallimin midis rreshtave mes propagandës ruse, dezinformimit nga e djathta ekstreme dhe debatit të mirëfilltë politik.

Studiuesit janë të bindur sidoqoftë që rrjete e profile në Facebook, llogaritë në Twitter, grupet në WhatsApp dhe portalet po përhapin lajme të rreme dhe përçarëse lidhur me Bashkimin Europian, NATO-n, emigrantët dhe çështje të tjera. Teoritë konspirative nxiten e përhapen lirshëm, përfshirë edhe spekulimin se zjarri që përfshiu Katedralen e Notrë Damit muajin e kaluar ishte vepër e terroristëve islamikë, e ndonjë agjencie spiunazhi, apo grupimeve të elitave, që drejtojnë botën në mënyrë sekrete.

Shpesh, këto mesazhe vijnë drejtpërdrejtë nga media ruse, ndërkohë që përsëriten dhe përhapen gjetkë. Të tjerë mesazhe janë të maskuar në mënyrë më të kujdesshme: Facebook mbylli javën e kaluar dy faqe në Itali, që përhapnin fshehurazi mesazhe të së djathtës ekstreme në disa portale në dukje kushtuar showbiz-it, apo sporteve dhe pa lidhje me politikën.

“Qëllimi këtu është më i madh se çdo zgjedhje”, deklaroi Daniel Jones, një ish-analist i FBI-së dhe këshilltar i Senatit Amerikan, grupi jofitimprurës i së cilit, “Advance Democracy”, së fundmi ka referuar pranë autoriteteve të zbatimit të ligjit një numër faqesh dhe portalesh të dyshimtë dhe mediash sociale. “Qëllimi është që të përçajnë vazhdimisht, të rrisin mosbesimin dhe të minojnë besimin e publikut në institucionet dhe në vetë demokracinë. Ata po punojnë për të shkatërruar gjithçka të ndërtuar pas Luftës II Botërore”.

Zgjedhjet për Parlamentin Europian, që do të zhvillohen mes datave 23 dhe 26 maj, konsiderohen si një test për populizmin në rritje brenda BE-së. Udhëheqësit populistë, shumë prej tyre simpatizues të Rusisë, janë bashkuar me shpresën e zgjerimit të ndikimit të tyre në Parlament dhe për pasojë riorientimin apo përmbysjen e vendimmarrjes në Bruksel.

Zyrtarë të shërbimeve sekrete nuk e kanë akuzuar publikisht Kremlinin për mbështetje të kandidatëve të veçantë në Europë, në të njëjtën mënyrë siç autoritetet amerikane deklarojnë se presidenti Vladimir Putin synoi të promovonte Donald J. Trump në vitin 2016. Por, Putin ka synuar prej kohësh ta përçajë Bashkimin Europian dhe ka mbështetur lëvizjet populiste, që kërkojnë të minojnë nga brenda bllokun.

Është gati e pamundur të llogaritet shkalla dhe jehona e dezinformimit. Studiuesit shprehen se miliona njerëz i shikojnë dhe lexojnë këto materiale.

Hetuesit kanë zbuluar qindra llogari në Facebook and Twitter, më shumë se 1 000 shembuj të mesazheve të aplikacionit WhatsApp, që ndajnë me njëri-tjetrin materiale të dyshimta, si dhe një numër portalesh të pabesueshëm, që pastrojnë në një masë të caktuar keqinformimin, qofshin ato teori konspirative, apo pikëpamje të polarizuara lidhur me lajmet dhe informacionet e ndryshme.

Një debat vazhdon prej kohësh nëse ky material ndikon në ndryshimin e sjelljes, apo votës, veçanërisht kur kompanitë e teknologjisë kanë punuar për ta zhdukur këtë dukuri. Por, ekspertët e sigurisë sugjerojnë se ndryshimi i fatit të zgjedhjeve është një objektiv i qëllimshëm në këtë lloj fushate. Objektivi parësor është baltosja dhe çorientimi i debatit, duke bërë që njerëzit të kenë dyshime lidhur me të vërtetën dhe duke gërryer në këtë mënyrë besimin e publikut.

Rusia i hedh poshtë akuzat për ndërhyrje.

“Zgjedhjet nuk kanë ardhur ende, por megjithatë që tani jemi të dyshuar se po bëkemi diçka të gabuar”, deklaroi në mars kryeministri rus, Dmitri A. Medvedev. “Të dyshosh për dikë lidhur me një ngjarje që nuk ka ndodhur ende është thjesht një absurditet paranojak”.

Të bësh dallimin mes ndërhyrjes ruse nga klikimet, apo zemërimin e sinqertë politik është mision i vështirë, madje edhe për shërbimet sekrete. Gjurmimi dixhital shpesh përfundon në pista anonime të internetit. Sidoqoftë, gjurmët pro-ruse ekzistojnë.

Në vitin 2016 u shfaq një faqe italiane e internetit e quajtur ‘’I’m with Putin’’ duke përhapur lajme pro-ruse dhe kritika ndaj Perëndimit. Kjo faqe, tashmë jashtë përdorimit, kishte të njëjtën llogari gjurmimi në Google me faqen zyrtare të fushatës së Mateo Salvinit, zëvendëskryeministri djathtist dhe sot politikani më i fuqishëm i Italisë.

Asokohe, drejtuesit e fushatës së Salvinit pranuan që një programues interneti, simpatizant dhe mbështetës i partisë së Salvinit, kishte ndërtuar të dy faqet e internetit, por deklaruan se ajo nuk kishte asnjë lidhje me faqen mbështetëse të Putinit.

I njëjti numër gjurmimi në motorin e kërkimit “Google” ka gjithashtu lidhje me portalin ”the StopEuro”, që sot përhap informacione nga media ruse dhe portalet e lidhura me Kremlinin për të kritikuar Bashkimin Europian.

“Kremlini ka fuqizuar dhe u ka dhënë zë aktorëve të tjerë të korruptuar anti-demokraci me qëllim rritjen e ndikimit të tyre në Europë, duke krijuar efektin e një orteku në axhendën e tij anti-perëndimore”, evidentoi një Task Forcë e Bashkimit Europian në njërin prej raporteve të saj të fundit lidhur me dezinformacionin rus.

Në Gjermani, forca e ekstremit të djathtë, Partia Alternativa për Gjermaninë, ose AfD, merr mbështetje të fuqishme si nga media zyrtare e qeverisë ruse, ashtu edhe nga kanalet jo zyrtare pro-ruse. Por, zoti Jones, ish-analisti i FBI-së deklaroi se Kremlini duket se po pasqyron dhe jep zë edhe mesazheve të kundërshtarëve më të ashpër të AfD-së, antifashistët e së majtës. Kjo do të nxirrte në pah atë që analistët deklarojnë se është interesi i vërtetë i Rusisë; të mbjellë përçarje politike në vende me demokraci, pavarësisht ideologjisë.

Një shembull: faqet e internetit që mendohet se u përkasin dy grupeve vendase anti-fashiste në Gjermani, përkatësisht “Antifa West Berlin” dhe “Antifa Nord Ost” kanë një server të përbashkët, që përdoren nga piratët e qeverisë ruse, të cilët sulmuan Komitetin Kombëtar Demokratik në zgjedhjet e vitit 2016. Informacioni i regjistrimit të njërës prej faqeve gjermane përmban një adresë anonime e-maili, që përdorej gjithashtu për ngritjen e dy faqeve të tjera ruse për përhapjen e e-maileve nga adresa të panjohura.

Këtë muaj, këto dy faqe u dërguan mesazhe ftese mijëra përdoruesve të Twitter-it, që të merrnin pjesë në një marshim protestë kudër AfD-së në Berlin. Kombinimi i zymtë i përmbajtjes anonime në internet dhe protestave në rrugë është kujtesë e vitit 2016, kur grupet ruse i nxitën njerëzit në SHBA që të merrnin pjesë në marshime, që mbështesnin si grupin ‘Black Lives Matter” ashtu edhe policinë.

Zoti Jones tha se ishte i shqetësuar se e njëjta gjë po ndodhte edhe në Gjermani.

Sidoqoftë, disa ekspertë sigurie kanë këshilluar që të mos dilet në konkluzione të gabuara në këtë rast. Ekspertët e konsiderojnë atë server me shumë dyshim, por piratët rusë nuk janë të vetmit që e përdorin.

Një atribuim përfundimtar do të kërkonte llojin e mjeteve që qeveria amerikane përdori për të zbuluar ndërhyrjet në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Twitter shkruan se llogaritë aktualisht nuk shkelin politikat e saj. Asnjë nga grupet antifashiste nuk iu përgjigj pyetjeve rreth faqeve të tyre.

Megjithatë, edhe pse Rusia mbetet një shqetësim, zyrtarët deklaruan se grupimet politike në të gjithë kontinentin, veçanërisht mbështetësit e së djathtës ekstreme, po përvetësojnë shumë nga taktikat e Kremlinit duke shpërfillur më tej se kush është prapa mesazheve.

Grupimi demokratik me prirje të majta, Avaaz, shprehet se ka identifikuar më shumë se 100 faqe në Facebook, që koordinonin publikimin e artikujve, memeve dhe videove në mbështetje të kauzave të ekstremit të djathtë dhe populist në Itali duke përfshirë partinë “Lega” të Salvinit dhe Lëvizjen Pesë Yjet, partner i saj në koalicionin qeveritar.

“Në tre muajt e fundit, këto rrjete kishin 18 milionë ndjekës dhe 23 milionë ndërveprime nga përdoruesit”, sipas Avaaz.

Shumë nga faqet duket se përqendrohen në muzikë, sport apo udhëtime, por ato kanë shpërndarë një sërë artikujsh nga faqet e lajmeve të ekstremit të djathtë. Faqja “I Valori Della Vita” prezantohet tek 1,5 milionë ndjekësit e saj si një faqe e përgjithshme mbi jetesën, por, në mënyrë të koordinuar, ka shpërndarë materiale nga portali i lajmeve me prirje të djathta, Leggilo.org.

Një tjetër faqe, “Lega Salvini Premier Santa Teresa”, u portretizua si një shoqatë e fermerëve përpara se të kthehej në një grup lokal që mbështeste Lega-n.

Kjo praktikë shkel politikat e Facebook-ut, por është një taktikë e zakonshme për të përforcuar artificialisht përmbajtjen. Facebook i fshiu të dyja faqet javën e kaluar, pasi Avaaz ndau të dhënat me kompaninë.

Christoph Schott, një drejtues i fushatës Avaaz, u shpreh se për çdo rast të zbuluar nga hetuesit, shumë të tjerë kaluan të pazbuluar. Ata zbuluan fushata të tjera të koordinuara në Francë, Poloni dhe Spanjë. “Facebook ka kaq shumë para’ dhe kaq shumë njerëz dhe ne jemi vetëm një grup qytetarësh dhe hetuesish të shqetësuar, që ishim në gjendje t’i zbulonim”, deklaroi Avaaz.

Gjatë zgjedhjeve të fundit në Spanjë, në WhatsApp u përhapën pretendime të pavërteta, sipas të cilave kryeministri Pedro Sánchez kishte rënë dakord për pavarësinë katalanase.

Kompanitë e teknologjisë kanë politika të ashpra për të eliminuar llogaritë e rreme, por studiuesit thonë se platformat e tyre do të jenë gjithmonë vendburim për fushatat influencuese. Algoritmet shpërblejnë përmbajtjet që mbajnë përdoruesit të angazhuar, gjë që nënkupton se postimet që nxisin zemërimin përhapen dhe marrin më shumë klikime.
Që nga viti 2016, Facebook ka angazhuar mijëra njerëz për të punuar mbi sigurinë dhe zgjedhjet duke përfshirë një qendër të re në Dublin për të koordinuar mbikëqyrjen e zgjedhjeve në Europë. Ka hequr rreth 2,8 miliardë llogari të rreme si dhe ka ndaluar rrjete që përhapin informacion të rremë duke përfshirë disa që synojnë Europën.

Disa ditë para zgjedhjeve spanjolle të muajit të kaluar, Facebook bllokoi disa llogari të ekstremit të djathtë që kishin arritur pothuajse në 1,7 milionë përdorues dhe po përhapnin informacione të rreme duke përfshirë një fotomontazh të një kandidati, i cili po përshëndeste në stilin e Hitlerit.

“Ne jemi duke u marrë me një sfidë sigurie dhe ka një sërë aktorësh që duan të manipulojnë debatin publik”, thotë Nathaniel Gleicher, kreu i Politikave të Sigurisë në internet të Facebook-ut.
Bashkimi Europian paraqet një test unik, atë se si të kontrollosh miliarda postime çdo ditë në 28 shtete dhe në 24 gjuhë zyrtare.

Facebook ka më shumë përdorues në Europë sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërlikimi i mëtejshëm i përpjekjeve është përhapja e artikujve që janë të ekzagjeruara, të shtrembëruara ose nxitëse, por jo qartësisht të rreme. Fshirja e këtyre materialeve ngre pyetje të vështira mbi kufijtë e fjalës së lirë.
Tetorin e kaluar, Facebook, Twitter dhe Google ranë dakord për një kod vullnetar të sjelljes për platformat e tyre në Bashkimin Europian për të kufizuar përhapjen e informacionit të rremë. Kritikët janë të mendimit se ligje dhe dënime më të ashpra janë të nevojshme.

“Ne nuk duhet të lejojmë që platformat të cilat krijuan problemet, të japin zgjidhjet”, thotë Marietje Schaake, një anëtare holandeze e Parlamentit Europian.

Studiuesit thonë se taktikat e keqinformimit po ndryshojnë së bashku me zakonet dixhitale të njerëzve duke përfshirë përdorimin e platformave të mesazheve si WhatsApp. Në Spanjë, Avaaz identifikoi një fushatë që përhapte pohime të rreme sipas të cilave kryeministri Pedro Sánchez kishte rënë dakord për pavarësinë katalanase. Në Gjermani, Avaaz zbuloi dhjetëra mesazhe raciste dhe anti-imigracion.

“Rëndësia e Europës është se ajo është si një bango-provë. “, thotë Ben Nimmo, bashkëpunëtor kryesor në Laboratorin Hulumtues të Mjekësisë Ligjore të Këshillit të Atlantikut, i cili studion keqinformimin në Europë.

‘’Është me të vërtetë një tregues i numrit të mënyrave të ndryshme që njerëzit mund të përpiqen të ndërhyjnë’’.

NYT