Nga Pëllumb Kulla/

Shkenca, thonë, paska vërtetuar se e qeshura ndihmon shumë shëndetin. Thonë se ajo, e qeshura, prodhoka në organizëm ca antikorpe, e ku dij unë më tej… Mrekulli! Kësisoj, ne të komedive, duhet atëherë të na përfshijnë në listat e mjekëve, të na heqin nga ministria e Kulturës e le të na marrë ministria e Shëndetësisë. Mbase ata do të na trajtojnë më mirë. (1986).

Pas ndeshjes që policia jonë bëri në mënyrë simbolike me ata që prodhojnë drogë mendohet që ajo të bëjë edhe një ndeshje tjetër mes saj, policisë tonë, dhe personave që policia ndërkombëtare i ka shpallur në kërkim. (2013). Me time shoqe, vetëm si burrë e grua mund të bashkëjetojmë. Të ishim kunata? – Do t’ishim therrur! (2017).

E preokupuar nga numri gjithnjë në rritje i aksidenteve nëpër rrugët automobilistike, qeveria paska urdhëruar që në çdo kilometër të vendoset një polic! A do ta zgjidhin vallë problemin policët të vendosur në çdo kilometër?! Ajo që është e sigurtë është ndërrimi i gjuhës tradicionale të popullit. Tani e tutje do të dëgjosh të moshuar që nxjerrin kokën nga dritarja e veturës dhe të pyesin: – “Edhe sa policë larg, është Skrapari që këtu, more bir?” Apo, në një anë të autostradës, do të gjesh një shef të Policisë Rrugore, t’i ulurijë një shoferi: -“Si guxon, more maskara, të më fluturosh me dyqindenjëzet policë në orë?!” Kurse në sheshin ku shiten e blihen veturat e vjedhura, do të dëgjosh: “Ta gëzosh Benzin e ri! Vetëm mos harro t’i ndërrosh rregullisht vajin, në çdo katërmijë policë!” (2010). Sot të vjen nusja te burri me veshë të pashpuar, dhe ia shpon e vjehrra që t’i varë vëthët. Ja kështu kanë ardhur kohët! Ato që duhet t’i shponin tek e ëma, i shpojnë te burri, kurse ato që duhet t’i shponin te burri, i kanë të shpuara që tek e ëma! Të krenohesh edhe kur je i fundit vend në kontinent, që antarësohesh në NATO dhe në Bashkimin Europian, është njësoj sikur të hedhësh fishekzjarret dhe të presësh urime të përzemërta që edhe në Shqipëri, pas vitit Dymijenjëmbëdhjetë, qeveria solli Dymijedymbëdhjetën! (2008). Jo vetëm plakat, por edhe mjekësia këshillon që shtatëzënave t’u plotësohet dëshira, se kjo është në të mirë të shëndetit të nënës dhe bebes, që ajo rrit në bark. Kështu atyre u shkrep dëshira për kumbulla, për limona, për gliko ftonjsh… Një gruaje shtatëzënë i është shkrepur për zgjedhje të parakohshme. (2007). Në vendin buzë Adriatikut sot ka spitale shtetërore dhe private dhe flitet se ata bëjnë një shërbim të shkëlqyer. Të gjithë shkojnë të kurohen nëpër to. Vetëm ministrat e shëndetësisë kurohen jashtë shtetit! (2016). Atdheu ynë është i vetmi vend në botë, ku kriminelët i kërkon populli dhe i fsheh policia! (2013). E si të mos e ndjesh veten të fyer atje, në stadium?! Kur skuadrat dalin në fushë që të fillojnë ndeshjen, vetëm unë, injoranti, nuk e di rezultatin! (2013).

Demokracia në Shqipëri po vonon të shfaqet. Shënjat që ajo ka ardhur do të jenë ato ditë, kur teksa ndërrohen qeveritë, nuk do të ndërrohet asnjëri nga doganierët. (2009) Jemi i vetmi vend në botë, ku të ndërtosh pa leje, shteti të dënon duke ta legalizuar ndërtimin e duke të dhënë tapinë! Të të zenë këtu, tek tek ti godet një automobil që qarkullon pa lejë, në vënd të burgosjes, ty të pajisin me patentë, atij tjetrit i nxjerrin lejën e qarkullimit! (2009). Të djelën në të gjithë vendin do të aplikohet ora diellore. Kjo bëhet duke shtyrë shigjetën e orës gjashtëdhjetë minuta përpara. Por orarët e punës do të jenë përsëri si më parë. Kështu, nëse zyrtarët kishin orën e fillimit të punës ora 8.00 dhe vinin në zyrë në orën 10.00, edhe me orën diellore ata do ta kenë fillimin përsëri më 8.00 dhe do të vijnë në punë, përsëri në orën 10.00! (2007). Është gjë e mirë që tek ne gazetat janë të pavarura. Ashtu le të mbeten! Vetëm botuesit duhen varur. (2014). Merita historike e çdo qeverie shqiptare që ikën, janë shifrat që ato ia lenë për krahasime, qeverisë që vjen. Kjo është dhe meritë patriotike bile! Se vetëm kështu duket sikur kombi përparon. (2014).

Perëndia e mallkon përgjimin dhe për këtë desh, t’i bënte njerëzit pa veshë… Por u ngritën në protestë kompanitë e celularëve. (2017).

Të mos lejosh njerëzit që të qeshin me ty, nuk do të thotë që nuk je qesharak! (2005).

Akti i të betuarit nuk ka lindur si ndihmës i të vërtetës, por si nevojë e gënjeshtrës. Sepse asaj i shërben. Gënjeshtra e fut atë në përdorim që nga mëngjesi e deri sa vjen mëngjesi i ri. (2012)Si e qysh ndodh tek ne, që librat me kujtime, sidomos ata më të bukurit, ata që kanë më shumë heroizma, seç kanë fletë, botohen gjithmonë pasi vdesin njerëzit që kanë jetuar pranë autorit?! (2014).

I rrethuar nga ligjet që i presin duart, zyrtari e ndjen që nuk është veçse një vegël pa kushedi çfarë vlere, një shërbëtor i thjeshtë. Ose më troç: një njeri si gjithë të tjerët! Në lartësinë që mendon se ka arritur, këtë respekt të detyruar ai nuk e honeps dot. Ligji është armiku i tij, është një hije e madhe që pengon t’i rritet bima e rëndësisë. (1998).

Është provuar shkencërisht se shpejtësia e zërit është 343 metra në sekondë. Por megjithë hapësirën e paktë në shtëpinë tonë, shpejtësia e zërit këtu ndryshon. Po i the gruas sime “leri këto ankesa!” pas dy orësh i vete zëri. Për djalin tim të vetëm, shpejtësia e zërit është edhe më e vogël. E porositëm atë, që të martohej atëherë kur ishte njëzet vjeç. Kur u bë tridhjete e dy, i vajti porosia! Kush po pyet për shkencë në këtë shtëpinë time! (2012). Ne, që merremi me humorin, edhe mund të bëhemi si ata që kemi urryer, por nuk bëhemi kurrë si ata që kemi qeshur. (2002). Njëherë, vaktit, shteti i rripte lëkurën individit, për të mirën e përgjithshme. Sot, për të mirë të tyre, individët po i rrjepin lëkurën e përgjithshme shtetit! (2012).

Mungesa dëshmon vlerën, sikurse hija dëshmon diellin. (2002). Të gjitha kryengritjet nisin fillimisht me anekdota! (2001). Ma marrin për mungesë patriotizmi, por unë vazhdoj ta përsëris, se hajdutët e huaj që vjedhin nëpër vendet e tyre, i dua më shumë se hajdutët shqiptarë, që vjedhin në Shqipëri. (1997). Para se të bien të flejnë komshinjtë tanë ngrejnë në këmbë lagjen teksa përpiqen të zgjojnë gjyshin që t’i japin tabletën për gjumë. (1976).

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here