Vendet anëtare të NATO-s po nënshkruajnë sot në Bruksel, “protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut” në aleancën perëndimore, së bashku me ministrin e Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov.

Maqedonia e Veriut bëhet kështu shteti më i ri anëtar i NATO-s.

“Me ftesën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ministri i Jashtëm Dimitrov do të marrë pjesë këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit, me rastin e nënshkrimit të protokollit qasës për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit fqinj.

Ndërkohë, gjatë diskutimit në Këshillin Atlantik kushtuar anëtarësimit të Maqedonisë në NATO në suaza të nismës “Ballkani ecë para”, ministri Dimitrov u shpreh: “Kjo është ngjarje historike, po e shkruajmë historinë me atë që krijojmë ardhmëri më të ndritshme në një rajon përplot histori dhe konflikte”.

Ai shtoi se: “Si anëtare e plotfuqishme e NATO-s Maqedonia do të bëhet vend më stabil dhe me siguri të përforcuar në vend dhe rajon, ndërsa ratifikimi i protokollit për anëtarësim në Parlamentin grek është punë e përfunduar”.

Gjithashtu edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolenberg, përmes një postimi në Twitter është shprehur se më 6 shkurt “do të shkruhet historia”.

Parlamenti i Greqisë ka ratifikuar më 25 Janar Marrëveshjen e Prespës, e cila i ka dhënë fund kontestit mbi 27-vjeçar mes të Maqedonisë dhe Greqisë për emrin.

Me këtë marrëveshje, Maqedonia është pajtuar për ndërrimin e emrit në Maqedoni e Veriut ndërsa Shkupi ka pranuar se gjuha maqedonase është pjesë e grupit të gjuhëve sllave dhe se identiteti nuk ka asgjë të përbashkët me maqedonasit e lashtë.

Marrëveshja mes dy vendeve është nënshkruar më 17 Qershor të vitit 2018 në Prespë.