Vera është stina e preferuar për shumicën e njerëzve pasi mund të zhvillohen një mori aktivitetesh dhe dinamika është më e madhe. Po në këtë stinë, njerëzit e anashkalojnë kujdesin që duhet të tregojnë ndaj të ushqyerit. Pikërisht për këtë temë folëm sot në studion e Rreze Dielli me nutricionisten Albana Daka dhe Ferdinand Mara, Dekani i fakultetit të veprimtarisë fizike e rekreacionit tek Universiteti i sporteve në Tiranë. Ne duam të “kënaqim’ stomakun, por në fakt ja se çfarë na këshillon nutricionistja për të prballuar këtë verë.

“Temperaturat e larta kanë ndikimin e vet edhe në organizëm. Me rritjen e temperaturave ne kemi një rritje të enëve të gjakut që furnizojnë organizmin dhe si rezultat i kësaj kemi një ngadalësim të procesit të tretjes gjatë stinës së verës. Jo më kot është ajo shprehja që duhet të hamë sa më pak në verë. Duhet të hamë sa më lehtë sepse edhe tretja nuk na lejon që të hamë gjëra më të vështira për tu tretur. Duhet të hamë sa më pak proteina shtazore, kjo për rsyen se proteinat shtazore janë më të vështira për tu tretur nga organizmi. Ne duhet të mundohemi që proteinat shtazore, sidomos ato të mishit të kuq ti minimizojmë dhe të kalojmë në proteina shtazore të thjeshta siç është pula dhe peshku. Pastaj edhe në gjithë proteinat bimore që janë shumë të mira, që janë gjithë bishtajoret, frutat e thata dhe të gjitha llojet e frutave.”,- tha nutricionistja Albana Daka

Daka sqaron se një prej gabimeve që bëjmë në këtë stinë është edhe konsumi i frutave jo në mënyrë natyrale, por duke i shtrydhur ato. Sipas saj kjo gjë na bën që të humbasim frutat e fibrave ndaj edhe është e mira që ti konsumojmë në mënyrën e tyre natyrale.

“Pavarësisht se ne themi gjithnjë lëngje, unë këshilloj që ti marrim frutat në formën natyrale të tyre dhe jo në formë lëngjesh. Padiskutim mund të konsumojmë lëngje, por jo ti kemi burimin kryesor, pasi ne me lëngun e frutave heqim të gjitha fibrat që ato kanë dhe marrim kryesisht vetëm fruktozën. Fruktoza është sheqeri i frutave, por është i vështirë për tu tretur nga organizmi dhe për tu menaxhuar nga ai në sasi të larta. Kështu që marrja e frutave në mënyrën e tyre natyrale është zgjidhja më e mirë. Duhet gjithashtu shoqërimi i të gjitha momenteve të ditës me sasi të shtuara të ujit për të kompensuar dehidrimin që ndosh si pasojë e temperaturave të larta. Alkooli e komplikon më shumë tretjen. Nuk do të thotë që ne duhet të ehqim dorë apo ta zerojmë alkoolin fare, në sasi të moderuara patjetër duhet ta marrim. Ne rekomandojmë që pas pushimeve të bëhet një periudhë detoxi 3-7 ditë duke qenë se me shumë mundësi ta kemi tepruar gjatë stinës së verës.”,- u shpreh Daka në studion e “Rreze Dielli”