Nga Skënder Minxhozi/

Në 18 shkurt të vitit 2017 shumë nga ata që kujtojnë protestën e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sjellin ndërmend sesi papritmas turma e njerëzve para Kryeministrisë u hap dhe aty u instalua me shpejtësi që tendë e madhe ngjyrë qumështi. Ishte Çadra e famshme e opozitës që do të bllokonte hapësirën qëndrore të Tranës për plot 100 ditë dhe që do të mbyllej me shpejtësi, siç edhe u hap, pasi Rama e Basha arritën marrëveshjen e 17 majit.

Ka një analogji të konsiderueshme mes atij momenti të skajshëm përballjeje në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti dhe krizës aktuale, e cila mbivendoset, të paktën në planin kohor, me aventurën e Çadrës. Edhe tani, si atëhere, në horizont ishin zgjedhjet. Me të drejtë skeptikët vërejnë se këtë rradhë situata është më e komplikuar, pasi gjatë Çadrës opozita vërtetë la parlamentin, por me mandatet në xhep. Pra, më shumë sesa një braktisje definitive e sistemit, Çadra ishte një bojkot ndaj tij.

Sot “ekipi” i parë parlamentar i opozitës ka hedhur çelësin nga dritarja dhe i është dhënë protestës pa asnjë pikë referimi, apo propozim kompromisi. E njëjta sjellje shpalosej edhe atëhere, kur kërkohej kategorikisht largimi i Ramës dhe qeverisë së tij (si sot) dhe kur kërcënohej kaosi dhe dhuna nëse nuk plotësoheshin kërkesat. Edhe atëhere, si sot, kërkoheshin garanci për hyrjen në zgjedhje, duke u fokusuar tek frika e vjedhjes apo sugjestionimit të votës. Në të dyja rastet në horizont qëndronin zgjedhjet, por tani, në ndryshim nga dy vjet më parë, ka edhe një detaj jo kaq të parëndësishëm: në miratim e sipër është SPAK dhe strukturat e tjera të reformës në drejtësi, të cilat shumëkush i sheh si një ndër arsyet e sjelljes së ashpër opozitare.

Nëse do të kërkonim megjithatë një analogji më të prekshme mes dy protestave të PD, ndoshta këtë do ta gjenim në kalkulimin e kujdesshëm nga ana e opozitës, të përplasjes me qeverinë, dhe në vendosjen e valës së protestave në kohë dhe në hapësirë, sipas një kalendari që në fund të rrugës ka në të dyja rastet, një ditë votimi.

Ashtu si në 2017, edhe këtë rradhë, kur kriza e mandateve ndodhet në muajin e dytë të saj, zgjidhja duke larg. Madje nuk duket fare. Basha thotë se Rama duhet të ikë nga qeveria, pikërisht si dy vjet më parë, kur ftonte përkrahësit e tij të qëllonin me grusht në fytyrë qeveritarët, t’u thyenin xhamat etjetj. Gjuha sot është më e pasur, akuzat gjithashtu, por në esencë, nëse marrim të mirëqenë faktin se kjo përplasje ka për të qenë e gjatë, ndodhemi ende larg pikës së zgjidhjes. Kështu na kanë mësuar krizat shqiptare, të cilat shpesh kanë marrë zjarr shpejt dhe nga hiçi, por janë zgjidhur ngadalë e me shumë harxhim energjish. Kështu na mëson edhe Çadra, ku për javë të tëra nuk ndodhi asgjë.

Për momentin kriza shqiptare nuk përbën lajm jashtë kufijve shqiptarë. Europa është e zënë me Brexit dhe zgjedhjet që po afrojnë. Ndërkohë votimet shqiptare janë në fund të qershorit dhe për momentin ndërkombëtarët mjaftohen të flasin me gojën e ambasadave të tyre në Tiranë. Ndodhemi pra virtualisht në rrafshin kohor, në muajin “e dytë” të Çadrës, kur demokratët mblidheshin darkave e shanin qeverinë, për të shkuar më pas secilin në shtëpinë e vet.

Nuk jemi ende në “kohën shtesë” të krizës, atehere kur afatet zgjedhore afrohen dhe kur nisen e vijnë të dërguarit e ndërmjetësit euro-amerikanë, që zakonisht ashpërsojnë gjuhën, nxjerrin ndonjë kërcënim me goje apo me shkrim nga mënga dhe i detyrojnë palët të bëhen seriozë dhe t’i thërrasin mendjes. Këtë krizë do ta zgjidhin vetëm të huajt. Kurdo qoftë dhe çfarëdo çmimi që të jetë akumuluar.

Megjithatë në ndryshim nga Çadra, kështu siç i ka pleksur punët kësaj rradhe Lulzim Basha, vështirë se do ketë ndonjë çedim nga të huajt, për t’i dhënë atë që kërkon. Askush në Evropë dhe SHBA nuk duket i tunduar nga djegia ultimative e mandateve dhe braktisja e sistemit, pasi askush nuk e do këtë precedent në kujtesën e përbashkët të Ballkanit dhe të kontinentit të vjetër.

Sfida e rradhës e ka emrin “zgjedhje lokale”. Një takim ku socialistët betohen se do të shkojnë me ose pa opozitën, por që kjo e fundit kërkon ta shpërfillë, e të bëjë sikur nuk e shikon. Kështu ndodhte edhe në kohën e Çadrës, kur Basha betohej se s’do të kishte zgjedhje në verë…

Aktualisht opozita kërkojnë një paketë të gjerë kompromisi, që të përfshijë qeverisjen qëndrore, më parë sesa fatin e zgjedhjeve lokale. Vështirë se diçka e tillë do të aprovohet nga Rama dhe ndërkombëtarët, të cilat kanë emergjencën e mbushjes së vendeve bosh në Kuvend dhe të kryerjes së zgjedhjeve administrative. Pra, të vijimësisë e normalitetit institucional. Në këtë pikë prioritetet e palëve nuk përputhen askund, por me gjasë kjo do të ndryshojë me afrimin e datës së zgjedhjeve. Ai do të jetë momenti i të vërtetës, pikërisht si në muajin e tretë të Çadrës. Të atij momenti kur Lulzim Basha zakonisht fillon e bëhet i arsyeshëm dhe detyrohet të pranojë se është pjesë e atij që sot thotë se e ka braktisur: sistemit politik…