Nga Ardit Rada

Gazetari Andrea Danglli ka qenë i ftuar pranë Kolegjit Universitar të Biznesit ku ka folur lidhur me librin e tij të fundit “Para se të të them… Të dua!” Nën një atmosferë poetike, një sërë intelektualësh të fushës së letërsisë, arsimit, biznesit dhe politikës diskutuan rreth këtij botimi i cili rezultoi si libri më i shitur në stendën e shtëpisë botuese “Marin Barleti” gjatë panairit të fundit.

Aktiviteti i moderuar nga poeti i njohur Demir Gjergji na prezantoi me një botë tjetër të gazetarit i cili duket se raportin mes gazetarisë dhe letërsisë e ka të balancuar drejt. Gjergji, në cilësinë e redaktorit të librit vlerësoi se niveli i vargjeve të sjella është i lartë dhe bashkëkohor, duke shprehur se ka qenë një sfidë edhe për të puna me këtë libër. “Ishte kënaqësi, privilegj dhe sfidë puna me këtë libër. Në fillim e mora si diçka të zakonshme, por krijimtaria e Andreas më imponoi një lloj respekti për të pasur kujdes. Nga përvoja ime letrare, mendoj dhe besoj se vargjet e tij do jetojnë gjatë, pasi brenda tyre fle një shpirt që do t’i flasë çdo brezi në çdo kohë”, u shpreh Gjergji.

Ndërkohë, matematicieni i njohur Bashkim Elbasani, ndan një mendim ndryshe. “Nëse i drodhe zemrën ndonjë të riu me poezinë tënde ky nuk ishte ndonjë sukses i madh. Arritje unë e quaj t’ja përpëlisësh kraharorin nga vendi një 70 vjeçari, dhe aq më tepër profesor matematike si unë që sot i ndjeva aq shumë vargjet e tua!”, u shpreh Elbasani. Aktiviteti i organizuar nën kujdesin e veçantë të Shoqatës Devolli, dega Tiranë, u përshëndet edhe nga kryetari i saj Gëzim Begolli.

Ndër të tjera, profesori i njohur u shpreh se Danglli është një vlerë e shtuar për krahinën e tyre dhe se meriton vëmendjen e duhur. “Unë kam pasur fatin që Andrean ta njoh në shtëpinë e Dritëroit ku asaj kohe po i merrte një intervistë që fatkeqësisht rezultoi e fundit. E ndiqja me vëmendje punën e tij, komunikimin me Dritëroin e madh, idetë e ngjashme që ndanin dhe qysh prej atëherë krijova bindje se do të ecte nëpër gjurmët e kolosit tonë të letrave. Tashmë, teksa e shoh që rritet profesionalisht, jam krenar që përshtypja ime nuk ka gabuar”, u shpreh Begolli. Ky organizim, duket se bashkoi të majtë dhe të djathtë, ku të pranishëm ishin edhe dy të zgjedhurit e fundit të politikës në krahinën e Devollit, deputetja socialiste Edlira Bode dhe ish deputeti demokrat Hekuran Hoxhalli.

Në fjalën e tyre, dy ligjvënësit përgëzuan 23 vjeçarin për projektet në gazetari dhe letërsi. Ndërkohë, në fund të takimit, gazetari Andrea Danglli falënderoi organizatorët duke shprehur mirënjohje për të pranishmit. Më poshtë po përcjellim fjalën e tij të plotë të transkriptuar: Përshëndetje të gjithëve! Ju vështrova gjatë prej tryezës dhe në profilin tuaj dashamirës nuk munda të gjej dot të pasqyruar fjalimin që përgatita një mbrëmje më parë. Mendoj se gjërat duhet të jenë përtej formales dhe mekanikes kur sheh njerëz që të duan, të respektojë, të vlerësojnë dhe lenë çdo punë për të të kushtuar disa minuta nga koha e tyre e shenjtë.

Kisha shkruar në fjalimin tim se poezia kërkon ndjekës! Gjepura, prej jush kuptova që kërkon njerëz të dashur, ja kështu si ju që ma keni mbushur shpirtin plot me emocion. Kisha shkruar se sa me vlerë janë metaforat dhe epitetet, por në fakt më shumë me vlerë janë kur këto figura letrare i gjen mes portrete njerëzish si ju. Kisha planifikuar të them se frymëzimi lind, por në fakt edhe krijohet. E ku ka frymëzim më të madh për mua se sa të dëgjoj këto fjalë kaq të ëmbla, aq sa besoj se nëse do masja nivelin e glukozës në gjak do të diagnostikohesha si “diabetik”?
Miqtë e mi! Unë e di që nuk jam ndonjë poet i madh ashtu siç e di që sot kam sjellë para jush veç një libër të vogël, por me ëndrra të mëdha.

Të jem i sinqertë, sot gjithkush mund të botojë një libër pasi filtrat janë inekzistente dhe shumë shtëpi botuese ta mundësojnë krijimin e një materiali. Kompleksi për të mos sjellë një prurje poetësh Fejsbukianë, më paralizoi për vite me radhë për të mos e sjell në dorën e lexuesit. Pikërisht, këto fjalë ja thashë edhe Sadijes së ndjerë fillim nëntorin e vitit të shkuar kur më përgatiste parathënien dhe ajo u shndërrua në një katalizator të fuqishëm për të sjellë librin “Para se të të them… Të dua”. Sidoqoftë, ai sërish ngel një libër modest, por për mua do të rezultojë si më i rëndësishëm edhe pas librave të tjerë që me shpresën e Zotit do të sjell.

I rëndësishëm, sepse është një ditar vargjesh që më shoqëroi në vegjëli, më dha dorën në adoleshencë dhe më shtyu drejt së ardhmes të cilën se di se si do të jetë. E kotë të gënjejmë veten pasi në poezi askush nuk i shpëton dot autobiografisë ndaj mes rreshtash, ju që e keni lexuar dhe ju që se keni lexuar do të gjeni copëzat e jetës sime. Pa dashur ta zgjas dhe t’ju shuaj kureshtjen për librin, nuk dua të harroj që nga jo sallë të përkujtoj në mënyrë të veçantë udhërrëfyesin tim të parë letrar dhe shpirtëror Dritëro Agolli dhe zonjën e tij fisnike Sadie Agolli të cilët më infektuan edhe mua sadopak me sëmundjen e tyre të të shkruarit. Së dyti dua të shpreh mirënjohjen ndaj krahinës sime e cila sa herë e shkel më bën te kuptoj se hapat e parë në atë terren të forcojnë kockat dhe të oksigjenojnë mendjen për t’u përgatitur për jetën.

Së treti dua t’ju falënderoj ju të gjithëve që këtë mesditë zgjodhët që dozat e së dielës së bukur t’i këmbenit me dozat e poezisë sime, profesor Gëzimin për kujdesin, profesor Andonin për këshillat, Zotin Gjergji për redaktimin profesional, profesor Fatosin për analizën dhe cilindo që ka shpenzuar qoftë edhe një sekondë për të qenë sot këtu. Në mënyrë të veçantë, dy të zgjedhurit e krahinës, znj. Edlira Bode dhe z.Hekuran Hoxhalli të cilët sot bëhen bashkë si devollinj dhe si shqiptarë të mirë duke i dhënë mesazh politikës se vërtet lumi e ndan krahinën në dy pjesë por mes brigjesh ka aq shumë ura të ngritura sa të majtë dhe të djathtë qëndrojnë gjithmonë të bashkuar.

Falënderime të gjithëve dhe iu siguroj se mbështetja juaj është reflektuar në çdo molekulë boje dhe qelize truri të hedhur në këtë libër. Zoti qoftë me ju!