Në datat 28 shkurt deri në 2 mars 2019 në Tiranë dhe Lezhë do të zhvillohet Samiti i Dytë i Diasporës. Në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2019 me vlerë 66 972 800 lekë për drejtorinë e shërbimeve qeveritare pikërisht për samitin që pritet të zhvillohet. Samiti i parë i Diasporës shqiptare u zhvillua në nëntor 2016 në Tiranë.

Vendimi i qeverisë
1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e vitit 2019, në zërin “Shërbime qeveritare”, i shtohet fondi prej 66 972 800 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e tetëqind) lekësh, brenda datës 31 janar 2019, për organizimin e Samitit të Dytë të Diasporës, që do të zhvillohet në datat 28 shkurt – 2 mars 2019 në Tiranë dhe Lezhë.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.

3. Ministria e Kulturës, brenda fushës së përgjegjësisë së vet, të bashkërendojë me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për organizimin e aktiviteteve social-kulturore dhe vendosjen në përdorim të monumenteve të kulturës, sipas rastit.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Kulturës, ministri i Shtetit për Diasporën dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.