Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka bërë një thirrje ambientaliste kundrejt çdo qytetari. Përmes një postimi në faqen zyrtare Facebook, ambasada ka paraqitur problematikën e ndotjes së bregdetit shqiptar duke thënë se mbetjet, që hidhen në det po rrezikojnë mjedisin dhe shëndetin e njerëzve.

Duke i paraprirë edhe këtij fillimi të sezonit turistik, SHBA jep edhe disa këshilla sesi mund të pakësohet kjo ndotje e bregdetit. “Organizoni ose merrni pjesë në aktivitete pastrimi në komunitet, jini më të vëmendshëm mbi sasinë e paketimeve të mallrave që blini, pakësoni, ripërdorni dhe ricikloni.”-sugjeron ambasada.

Postimi i plotë: “Çdo ditë, sasi të mëdha mbeturinash shkarkohen në dete e oqeane. Mbeturinat detare përfshijnë materiale plastike, metali, gome, letre, tekstile, pajisje peshkimi të braktisura si dhe sende të tjera të humbura apo të hedhura poshtë. Këto ndotje dhe mbeturina po mbushin detet e oqeanet me plehra dhe po rrezikojnë mjedisin dhe gjallesat ujore, sigurinë e lundrimit, ekonominë, dhe me shumë mundësi edhe sigurinë dhe shëndetin e njerëzve. Ju mund të ndihmoni në zgjidhjen e këtij problemi. Organizoni ose merrni pjesë në aktivitete pastrimi në komunitet, jini më të vëmendshëm mbi sasinë e paketimeve të mallrave që blini, pakësoni, ripërdorni dhe ricikloni.”