Nëse habitorja do të kishte një shkallë vlerësimi, kjo padyshim do të ishte shkalla më e lartë e çudisë! Një ditë më parë, klubi i Luftëtarit pezulloi me dy ndeshje trajnerin Julian Ahmataj dhe dy titullarët Albano Aleksi dhe brazilianin Xhekson, për shkak të eliminimit nga Kupa e Shqipërisë një javë më parë, vendim që ka habitur krejt opinionin, ndërsa sot ka ardhur akti i dytë i komedisë.

Julian Ahmataj është paraqitur si zakonisht në fushën stërvitore të gjirokastritëve në Derviçan, ndërsa me të kanë qenë dhe dy lojtarët, Aleksi dhe Xhekson. Por sapo trajneri dhe lojtarët janë afruar te fusha, drejtues të skuadrës u kanë dalë përpara duke u komunikuar me një shkresë pezullimin dyjavor.

Ahmataj dhe lojtarët janë larguar, ndërsa stërvitjen e ka kryer Mihajloviç, trajneri i portierëve. Ndonëse ende nuk është zyrtare, flitet se krisja mes palëve ka ardhur për shkak të akordit që të Ahamtaj, Aleksi dhe Xhekson, kanë pasur me klubin e Tiranës për të kaluar te bardheblutë në qershor, çka ka revoltuar gjirokastritët.