Qyteti i Durrësit dhe zonat përreth do të ketë një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm në saj të ndërtimit dhe vënies në funksion të rrjetit të ri të ujësjellësit të ndërtuar në zonën e Fushë-Kuqes. Linja e re e furnizimit me ujë, një investim i Bankës Botërore në vlerën e 62.5 milionë euro, do të jetë plotësisht në funksion në fund të muajit qershor dhe do të garantojë një furnizim me 18 orë ujë në ditë për qytetarët.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Alqi Bllako, inspektuan punimet të cilat janë drejt përfundimit.

Ky investim, jo vetëm përmirëson situatën e rëndë të trashëguar të furnizimit me ujë në zonën e Durrësit, por rrit njëkohësisht rrit dhe efiçencën e operimit të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve duke ulur ndjeshëm kostot operative.

“Përveç komponentit të furnizimit me ujë të qytetit të Durrësit dhe zonave përreth, ky projekt ka dhe dy komponentë të rëndësishëm që lidhen me përmirësimin e situatës së kanalizimeve sa i përket zonës së Plazhit të Durrësit nga Përroi i Agait tek Ura e Dajlanit ku tashmë faza e këtij projekti ka përfunduar dhe jemi duke ndërhyrë gjithashtu edhe në rregullimin e kolektorëve të brendshëm në qytetin e Durrësit”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Alqi Bllako.

Nga ana e saj, Ministrja Balluku bëri të ditur se ky investim ka nisur në mandatin e parë të qeverisës për t’u përmbyllur në 30 qershor të këtij viti duke shtuar se përfitues të tij janë jo vetëm banorët e qytetit të Durrësit por edhe zonat rurale përreth, të cilat do të furnizohen me ujë përmes stacionit aktual.

“Përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët është një nga strategjitë kryesore të zhvillimit të qeverisë Rama. Ky është një projekt që ka nisur në mandatin e parë për të përfunduar me rezultate të shkëlqyera në 30 qershor të vitit 2019. Nga ky projekt benefite do të marri jo vetëm zona e qytetit të Durrësit por edhe zonat rurale pasi do përdoret sistemi i vjetër që ne kemi pasur duke e përmirësuar për t’a vendosur dhe atë në funksion. Ne nuk kemi as kohë dhe as materiale për të humbur pasi duhet t’i ofrojmë më të mirën qytetarëve tanë”, nënvizoi ministrja Balluku.

Rrjeti i ri i ujësjellës kanalizimeve është ndërtuar sipas standardeve dhe teknologjive inovative duke shmangur dhe eliminuar ndotjen në mjedis si dhe rrezikun në shëndetin e qytetarëve.