Nga Skënder Minxhozi/

Tirana po fillon të përballet këto kohë me të shkuarën e vet kaotike. Është një unazë e madhe ndërtimesh që e kanë rrethuar gradualisht kryeqytetin që në fillimet e viteve ’90, kur prurjet e dhunshme urbane bënë që popullsia të rritej me shifra galopante, e nxitur jo vetëm nga motivet ekonomike, por edhe nga djallëzitë elektorale të asaj kohe kur shteti abuzonte në mënyrë të mbrapshtë me parimin e lëvizjes së lirë të shtetasve.

Historia thuajse 30 vjeçare e mbipopullimit të Tiranës ka krijuar sot, kur shteti dhe shoqëria duket se janë pjekur rreth idesë së hapjes dhe modernizimit të qytetit, një problem therës social e ekonomik. Ata që erdhën me thasë e plaçka në kodrat e Kamzës, Bathores e Paskuqanit tre dekada më parë, për t’u instaluar në kasolle e bunkera, sot kanë hedhur rrënjë në ato troje, duke ndërtuar shtëpi banimi e hapur biznese. Disa prej të cilave ja kanë zili edhe vetë banorët e Tiranës, që vështruan të habitur e të pafuqishëm për tre dekada, energjinë e madhe të të ardhurve, për të hedhur rrënjë e për të merituar edhe ata statusin e qytetarit të Tiranës.

Në këtë përballje demografike, më të pafajshmit janë shqiptarët e thjeshtë. Kudo ku shteti i hap derën abuzimit dhe arbitraritetit, qytetarët konformohen me kaosin, shohin punën e tyre, ose përpiqen të përfitojnë prej tij. Dobësia e dikurshme e shtetit shqiptar dhe synimi hileqar i të djathtës në vitet ’90 për të përdorur si karburant elektoral këtë shtresë të ardhurish, ka krijuar një situatë potencialisht eksplozive rreth qyteteve më të mëdha të vendit, e cila shfaqet sa herë që qeverisja qëndrore kërkon të vendosë rregull dhe ligj. Kështu ka ndodhur me pagesat e energjisë elektrike, taksat dhe më në fund edhe me projektet urbanistike, siç ka qenë këto vite rasti në Vlorë, Fier e së fundi në Tiranë.

Unaza e re e Tiranës është vërtet një projekt i vjetër, por që po provokon sherrin më të ri dhe më të rrezikshëm për kryeqytetin. Autostrada do të duhet të rrethojë dikur të gjithë qytetin, duke nisur nga zona perëndimore e tij, për të kaluar më pas në Bathore e bregun e Lumit, si dhe në këmbët e Dajtit, për t’u bashkuar me segmentin egzistues që përfundon tek rrethrrotullimi i TEG. Llogari të përafërta thonë që sot se projekti ambicioz do të shkelë mbi një gjurmë, e cila do të kërkojë rrafshimin e rreth 3500-4000 ndërtimeve me dhe pa leje: shtëpi banimi, biznese dhe toka të zëna kryesisht nga banorët informalë.

E njëjta situatë shfaqet kudo ku ka projekte publike. Bulevardi i Ri i Tiranës krijoi të njëjtën përplasje me banorët e zonave informale, si në rastin e Astirit. Edhe një herë më tepër problemi devijoi tek dhuna dhe kërvënimet. Banorët që kërkojnë dëmshpërblim për shtëpitë e bizneset pa leje, qeveria e bashkia që duan t’i hapin vend projekteve të tyre publike. Halli real i mijëra shqiptarëve që gjenden papritur në qiell të hapur, shfrytëzohet hapur nga politika, për t’i fryrë një zjarri që në fakt nuk ka nevojë të ndizet edhe më tej, pasi edhe ashtu siç është, përbën një ndër problemet më therëse shoqërore e ekonomike me të cilin përballëet Shqipëria prej 30 vjetësh.

Të bësh thirrje për të zgjidhur problemin e strehimit për mijëra familje të prekura nga projektet publike për të cilat ka një nevojë klithëse, është njëra anë. Të bësh thirrje për të ndërtuar një kryqëzatë kundër qeverisë mbi këtë konflikt dhe për të ruajtur me dhunë statu-quonë urbane të Tiranës dhe qyteteve të tjera, të rrethuara nga mijëra ndërtime të paligjshme – e gjitha kjo mban era anti-shtet dhe është thellësisht obskurantiste.

Nga ana tjetër, nuk duhet mohuar fakti se e gjithë zhurmnaja aktuale për Unazën e Re të kryeqytetit është fuqizuar dhe bërë më e ashpër, edhe për shkak të akteve të pastra korruptive që bëjnë hije mbi projektin e segmentit të pezulluar të Unazës. Të përzesh njerëz nga shtëpitë, mbi bazën e një projekti në letër të drejtë, por të njollosur me hijen e ryshfetit dhe korrupsionit, do të thotë të ushqesh jo indirekt, por drejtpërdrejt, kauzën e sabotimit të vazhdueshëm të projektit të modernizimit urban të periferisë së qytetit. Vetëm dënimi rigoroz i kësaj praktike dhe nxjerrja e të gjitha përgjegjësive në dritë të diellit, do t’i japë kurajon e plotë shtetit që të përballet me banorët e Astirit, mbi të cilët dora manipuluese e opozitës vijon të hedhë benzinë dhe sherr.

Tirana dhe Shqipëria s’mund të mbeten peng i zhvillimit kaotik që lanë pas vitet e mbrapshta ’90. Vendi ynë duhet të dalë me vullnet dhe forcë pozitive, nga spiralja e rrëmujshme që krijuan ato vite kur shteti as dinte dhe as donte. Formulimi i një kuadri rregullash ligjore-tip, për të prekurit nga projektet masive që një ditë jo të largët do të fillojnë të ndërtohen, është tashmë i vonuar. Deri më sot shteti është sjellë si një farmacist që të jep një aspirinë, e jo si një mjek kirurg që vendos edhe të të operojë atëhere kur duhet. Diku është vepruar me legalizime, e diku tjetër me anashkalimin dhe heshtjen mbi problemet që kanë dalë aty-këtu. Aluizni, kjo kothere e vjetër e politikës për abuzuesit, nuk mund të aplikohet kudo. Ndryshe do të duhej buxheti i Emirateve të Bashkuara Arabe për të paguar faturat e dëmshpërblimeve.

Sot nuk i kemi ende as rrjetet e reja të autostradave, as linjat e gazit natyror (gazsjellësi TAP tashmë është gati), e as objektet publike që i duhen çdo qyteti. Kudo publikja është e tërhequr, e mpakur dhe e ndrojtur, përballë privates agresive që jo rrallë është aty në mënyrë abuzive dhe të padrejtë.

Nëse nga situata konfliktuale e momentit, nuk dilet me një manual konkret për të dalë nga ky mishmash, viktima do të vazhdojë të jetë ajo e përjetshmja: progresi dhe zhvillimi i vendit! Kuadri ligjor aktual parashikon me qartësi dhe cinizëm sesi veprohet ndaj një ose një mijë ndërtimeve pa leje: ato shemben për t’i hapur rrugë projektit X! Por a është kjo zgjidhja? Më saktë, a është kjo e vetmja zgjidhje?

Nëse i hedh një sy asaj që ndodh përditë matanë Pallatit me Shigjeta, përgjigja është “Jo”! Duhet një qasje që të afirmojë forcën e ligjit, por edhe të marrë parasysh e trajtojë gropën sociale që hapet. Një shtet i varfër si ky i yni, këto lloj alkimish i ka të vështira t’i bëjë. Por pikërisht në një shtet me qytetarë të varfër, këto zgjidhje kompromisi janë të më të nevojshme se në Norvegji e Danimarkë.