Partia Demokratike dhe LSI kanë dalë totalisht nga skenari i paralajmëruar i protestës. Vetëm pak minuta pas reagimeve në seri të ambasadave më të rëndësishme, Gazment Bardhi i ndryshoi edhe emrin aktivitetit duke e cilësuar si ‘marshim’.

Ky ishte paralajmërimi i parë se opozita joparlamentare u tremb mjaftueshëm nga zëri i ndërkombëtarëve, që si rrallë herë iu drejtuan me emër dhe mbiemër Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.

Deklarata kulmore ishte ajo e partisë së kancelares Angela Merkel. CDU/CSU i kërkoi Bashës që të ulet në dialog me qeverinë pa vendosur asnjë kusht paraprak.

Këto ‘shuplaka’ duket se e bënë efektin tek vetë kreu i Partisë Demokratike. Me një fjalim të shkurtër dhe retorikë më të lehtë, ai nuk e nxiti më turmën e militantëve, por e zhvendosi nga Kryeministria.

Kujtojmë se në protestën e 11 Majit, Basha bëri thirrje “Ja vdekje, ja liri”. Thirrje këto që u pasuan me hedhjen e molotovëve në drejtim të Kryeministrisë, Kuvendit dhe efektivëve të policisë. Sot molotovët kanë heshtur.

(JavaNews/A.Rada)