Pas kreut të Presidencës, kryeministrit dhe kreut të Kuvendit, ka qenë radha e shefit të opozitës, Lulzim Basha për të përcjellë mesazhin e tij për ndarjen nga jeta në moshën 81-vjeçare të senatorit amerikan John McCain.

Përmes një statusi në llogarinë e tij në “Facebook”, Basha shkruan ndër të tjera se me ikjen e McCain, kombi shqiptar humbi një mik të madh.

Statusi i plotë:

Me ndarjen nga kjo jetë të Senatorit John McCain, kombi shqiptar humbi një mik të madh. Luftëtar i pamposhtur për kauzën e lirisë, Senatori McCain ishte një zë i fuqishëm në krah të betejave të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim euro-atlantik. Mirënjohje e përjetshme për këtë hero dhe ngushëllimet më të ndjera familjes së tij dhe popullit mik amerikan. U prehtë në paqen e Zotit! /G.Gj/Lexo.al/