Sapo iu bashkua protestës, kryedemokrati Lulzim Basha u ngjit në podiumin para Kryeministrisë, aty nga bëri paralajmërimin e parë për qeverinë. Ai tha se sot më shumë se kurrë janë bashkuar shqiptarët që kërkojnë largimin e tij. “Asgjë s’e ndal dot më këtë bashkim”, tha Basha.

“Lumi i sloganit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë si kurrë më parë. Ja ku jemi më shumë se kurrë më parë. Më të bashkuar se kurrë më parë. Më të vendosur se kurrë më parë, më të fortë se kurrë më parë kundër padrejtësisë, krimit dhe korrupsionit. Bashkë me këtë vërshim të paparë e padëgjuar për Tiranën, me këtë bashkim zemrash, mendjesh e vullnetesh të burrave dhe grave të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit më të paparë. Sot nuk na ndal asgjë”,- tha Basha.