Institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër gjatë gjithë këtyre ditëve ka monitoruar në vazhdimësi dhe ka bashkërenduar veprimtarinë e njësive vendore dhe të degëve territoriale për normalizimin e situatës emergjente të krijuar si pasojë e reshjeve të dëborës në të gjithë territorin e qarkut Gjirokastër.

Aktualisht situata në qarkun e Gjirokastrës është më e stabilizuar, por ngelet ende shumë për të bërë nga ana e njësive vendore për të gjitha njësitë administrative me terren malor në të cilat vështirësitë janë edhe më evidente.

Gjendja paraqitet problematike në lagjet e sipërme të qytetit të Gjirokastrës ku dhe lëvizja e mjeteve e këmbësorëve bëhet më me vështirësi për shkak të ngricave.

Gjithashtu edhe në njësinë administrative Picar problem paraqet aksi rrugor Kolonjë – Golem ku aktualisht po punohet për hapjen e rrugës. Po punohet në terren me fuqi punëtore të agjencisë së shërbimeve pranë bashkisë për normalizimin e situatës duke hedhur kripëra dhe skorje.

Problematika hasen në bashkinë Tepelenë, në njësinë administrative Kurvelesh ku rruga është e hapur por e kalueshme vetëm me zinxhirë. Në njësinë administrative Qendër, fshati Salari rruga është e kalueshme me zinxhirë.

Në bashkinë Memaliaj, në fshatrat Maricaj e Arëz rruga është e kalueshme me zinxhirë.

Në bashkinë Libohovë, rrugët në Zagorie, fshatrat Zhej, Lliar, Konckë, Hoshtevë, Doshnicë janë të bllokuara. Rruga Libohovë në Zagorie është e kalueshme vetëm me zinxhirë. Sot ka filluar puna për zhbllokimin e rrugëve në njësinë administrative Zagorie me një skrep.

Në bashkinë Përmet, rrugët rurale të Nj. Ad. Frashër në segmentin Bredhi Hotovës- Frashër, lëvizja bëhet me vështirësi vetëm me zinxhirë.
Të bllokuara qëndrojnë rrugët e fshatrave Frashër, Miçan, Zavalan, Ogren për shkak të borës dhe ngricës.Aktualisht në fshatin Zavalan te Nj. Admin. Frashër tre abonente familjarë nuk marrin energji elektike për shkak të dëmtimit të një gjatësie të konsiderueshme të rrjetit elektrik.

Në bashkinë Këlcyrë, rruga Këlcyrë – Malëshovë – Leskaj – Limar vazhdon të jetë e bllokuar. Rrugët rurale të fshatrave të tjerë kanë vështirësi në lëvizjen e mjeteve.

Në bashkinë Dropull rruga që lidh Nj. Ad. Zagorie me Nj. Ad. Pogon e kalueshme me zinxhirë.

Në të gjitha shkollat e qarkut Gjirokastër është zhvilluar procesi mësimor me përjashtime të vogla. Në disa nga institucionet arsimore mungon ngrohja si pasojë e mungesës së furnizimit me naftë për vënien në punë të kaldajave.
Është bërë furnizimi normal me ujë të pijshëm në të gjitha njësitë e qarkut, po ashtu dhe furnizimi me energji elektrike ka qenë normal me përjashtim të ndonjë defekti.

Institucioni i Prefektit të qarkut është në gatishmëri për ndjekjen e situatës në vazhdimësi dhe mirëkupton çdo problematikë të adresuar pranë tij nga ana e qytetarëve dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.