Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist, Ulsi Manja e cilësoi një rast të përsëritur mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, pas emërimit të tij në këtë detyrë nga kryeministri Edi Rama. Duke folur në një studio televizive, Manja theksoi se rasti është i përsëritur si me Sandër Lleshajn për të cilin “Ilir Meta reflektoi dhe e dekretoi sepse gjuha e Kushtetutës është e qartë”.

“Kryeministri ka tagër kushtetues të propozojë emërimin dhe shkarkimin e ministrit sepse kjo lidhet me nenin 1 të Kushtetutës që Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe kryeministri Rama dhe shumica që e mbështet në Kuvend ka marrë votën e popullit për të qeverisur”, tha ai.

Gjithë presidentët përpara Metës, tha Manja, kanë ndjekur frymën dhe gjuhën që ka Kushtetuta. “Në këtë rast debati nuk është kushtetues është një debat politik. Kushtetuta thotë ministër mund të zgjidhet çdo shtetas shqiptar që plotëson kushtet për të qenë deputet dhe kushtet për të qenë deputet janë të përcaktuar në Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor, pra shtetas shqiptar mbi 18 vjeç dhe që nuk është dënuar me vendim penal gjyqësor të formës së prerë. Këto vlejnë për Genti Cakaj dhe për çdo shtetas dhe argumentet në letrën që është drejtuar kryeministrit janë argumente depersonalizuese për një qytetar normal të kësaj republike”, tha ai.

“Ata që e këshillojnë presidentin Meta për të shkelur Kushtetutën nuk do ia dalin dot që në këtë lloj përplasje të destabilizojnë vendin, as Shqipërinë dhe as Kosovën sepse ka mjaftueshëm kjo mazhorancë dhe kjo shumicë qeverisjeje maturinë dhe qetësinë e duhur për t’i dalë zot shtetit dhe përballë kësaj përplasje politike që nuk bën sens dhe aq më tepër nuk bën sens kushtetues”, tha Manja duke u shprehur i bindur se presidenti në një moment të dytë, përtej këtij debati do të ulet dhe do reflektojë se është në atë zyrë për të qenë mbi palët jo vetëm për rastin e Cakajt.

“Unë di të them që mazhoranca që përfaqësoj, kryeministri por dhe grupi parlamentar po e studjon me qetësi dhe maturi situatën dhe kemi gjithë përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur për ta zgjidhur këtë çështje brenda kushtetutës së vendit”, u shpreh deputeti socialist, Ulsi Manja. “Një gjë di të them me siguri që Shqipëria do ketë ministër të Jashtëm, në këtë kohë dhe në këtë moment ne do kemi ministër të Jashtëm”, tha ai.

Sipas Manjës, Presidenti është brenda afatit që e detyron kushtetuta për t’u shprehur dhe për dekretin e Bushatit. Brenda 7 ditëve presidenti duhet të shprehet si për emërimin ashtu dhe për shkarkimin dhe, theksoi Manja, “në dijeninë time është brenda afatit që e lejon Kushtetuta”.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here