“Argumentet e Presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme janë të pavërteta dhe politike”.

Kështu deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, e ftuar në një studio televizive.

Emërimi dhe shkarkimi i një ministri, sipas Gjylametit, “është tërësisht kompetencë e Kryeministrit të vendit dhe jo e Presidentit”.

“Mendoj se në rastin konkret kemi të bëjmë me një skenar të përsëritur, edhe në rastin e ministrit Brendshëm Sandër Lleshaj. Presidenti përdori të njëjtin argument, edhe pse nëse kalojmë në pjesën juridike për atë që parashikon Kushtetuta mbi kompetencat e Presidentit, ky i fundit nuk ka një kompetencë për të mosdekretuar. Mund të ketë objeksionet e tij, por nuk mundet që të mos dekretoj. Kompetenca për emërimin apo shkarkimin e një ministri është kompetencë tërësisht e Kryeministrit të vendit dhe jo e Presidentit”, tha Gjylameti.

Presidenti, sipas saj, “është figura e shtetit që duhet të jetë i pari që garanton stabilitetin e vendit dhe jo ai që përdor të njëjtin skenar për të çuar drejt destabilizimit”.

Gjylameti theksoi po ashtu se Presidenti nuk mund të bëjë opozitën, por duhet të qëndrojë mbi palët.

“Të gjitha argumentet e përsëritura nga Presidenti kanë qenë politike”, tha ajo.