Mosdekretimi i Gent Cakaj si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme është një veprim i paramenduar politikisht nga ana e Presidentit Ilir Meta, një veprim i rrezikshëm sepse synon të tensionojë situatën në vend.

E ftuar në një studio televizive, deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj komentoi qëndrimin e Presidentit të Republikës me mosdekretimin e Gent Cakaj në postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.

Felaj tha se “ne jemi Republikë parlamentare dhe jo presidenciale dhe si e tillë Kushtetuta i jep Presidentit një kompetencë formale”. Ajo theksoi se “Presidentin, Kushtetuta e limiton në verifikimin formal të atyre kushteve që të lejojnë të bëhesh ministër”.

“Nuk ka një dekret për mosemërim të ministrit por ka një dekret për emërim. Për sa kohë që ky dekret votohet në parlament presidenti ka detyrimin ta nxjerrë atë dhe Kuvendi vendos”, tha Felaj.

Lidhur me argumentin se Gent Cakaj nuk ka qenë i pajisur me certifikatën e sigurisë, Felaj tha se “nuk kërkohet certifikata e sigurisë për t’u bërë ministër, por ajo kërkohet për shkak të një detyre zyrtare ku ti mund të jesh i ekspozuar ndaj një informacioni të klasifikuar”.

“Nuk ka një listë shteruese të detyrave apo posteve që mund të mbash për t’u pajisur me këtë certifikatë. Pa u bërë ministër i Jashtëm nuk ke se si të pajisesh me certifikatë sigurie. Nëse ka qenë i pajisur më parë dhe nëse ka pasur detyrën e tillë që kjo të ishte e nevojshme, kjo është histori tjetër dhe nuk ka pse të kemi dijeni për këtë”, tha Felaj.

Lidhur me lëshimin e kësaj certifikate brenda 24 orëve për rastin e Gent Cakaj, Felaj tha se “Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të klasifikuar ka një afat maksimal për lëshimin e certifikatës, por jo një afat minimal. Në momentin kur ajo merr konfirmimin, DSIK lëshon certifikatën”, tha Felaj.

Felaj komentoi po ashtu edhe kërkesën e Presidentit për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për lëshimin e certifikatës së sigurisë nga DSIK.

“Kërkesa për hetimi parlamentar është qershia mbi tortë që e fundos tërësisht Presidentin dhe na jep të drejtë kur themi se Presidenti e përdor politikisht dhe e keqpërdor institucionin që drejton. Ngritja e komisionit hetimor bëhet nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Në rast se ky komision do të ngrihej kë do të përfaqësonte Presidenti, maxhorancën apo opozitën dhe si do ta justifikonte faktin se është përfaqësues i unitetit kombëtar”, pyet Felaj.

Për Felajn, edhe fakti se Presidenti nuk ka dekretuar shkarkimin e Ditmir Bushatit është një argument që dëshmon se e gjithë kjo që ndodhi ishte situatë e paramenduar. “Nuk ka gjasë që Presidenti të kundërshtojë propozimin e Kryeministrit, i cili ka të drejtën ekskluzive të emërimit apo shkarkimit të ministrave. Kushtetuta nuk ia jep një gjë të tillë Presidentit”, tha Felaj.

Nuk kam ndonjë shpresë të madhe, tha ajo, “por do të uroja që Presdienti të bënte një kthesë në këtë rast, të reflektonte dhe të dekretonte Cakajn ministër”.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here