Nga Alfred Peza/

Ka një qasje, një shfaqje të sforcuar, të impostuar, të panatyrshme dhe për rrjedhojë të gabuar të liderëve tanë politikë, në raport me fenë dhe institucionet fetare në Shqipëri. E kam fjalën për atë mënyrë të funksionuari, që është ushqyer si e tillë edhe nga nevoja rutinore e mediave, për të bërë politikë në ditët e festave dhe në institucionet e komuniteteve fetare. Pra, politikë në ditët dhe në shtëpinë e Zotit.

E para që jo vetëm e kuptoi por edhe e ka bërë tashmë rregull prej disa kohësh, ishte hierarkia e Kishës Katolike, e cila nuk pranon, nuk organizon dhe nuk lejon liderët politikë shqiptarë që të shkojnë për urime dhe për të bërë deklarata në institucionet e saj drejtuese e të besimit, në Shqipëri. Kjo u pa edhe përgjatë kremtimit të Pashkëve Katolike të kësaj të diele.

Të gjendur në këto kushte, liderët tanë politikë po kërkojnë metoda alternative, për ta kompensuar këtë mungesë, e cila për vite me radhë ishte bërë një lloj mënyrë jetese politike, nga e cila duket se nuk janë ende të gatshëm, që të heqin dorë.

Lulzim Basha u shfaq në Kishën e Laçit, nëpërmjet një autopostimi në rrjetet e tij sociale, duke uruar dukshëm më shumë veten sesa besimtarët, për të patur fat në orët më përcaktuese të së ardhmes së PD në skenën politike të vendit.

Deri të martën e javës së re, Komisioni Qëndror I Zgjedhjeve ka përcaktuar afatin fundor kohor për partitë politike që të regjistrohen nëse do të marin ose jo pjesë, në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

E famshme për vizitat e herëpashershme në Kishën e “Shna Ndout” në Laç, është partnerja e koalicionit opozitar të z. Basha, kryetarja e LSI znj. Monika Kryemadhi. Përtej raportit të saj individual, me këtë vend të njohur të besimit të krishterë në Shqipëri, me siguri lutjet e saj shkojnë edhe për familjen e saj politike.

Por pavarësisht këtij raporti jo vetëm të Bashës e Kryemadhit, por edhe të Ramës, Metës, Berishës, Nanos dhe të tjerëve përpara tyre në majën e hierarkisë politike të vendit, me fenë dhe institucionet e besimit në Shqipëri, një gjë është e sigurtë.

Se sado I përkushtuar përpara Zotit të hiqesh, ose të jesh në ditët e festave fetare, raporti I udhëheqësve tanë, ashtu si I gjithë të tjerëve kudo dhe kurdo në botë, është me institucionet e fesë politike. E cila është: DEMOKRACIA.

Demokracia është një formë qeverisje në të cilën shumica e njerëzve ushtrojnë sovranitetin e tyre ose drejtëpërdrejtë, ose nëpërmjet referendumeve, ose në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve.

Sipas teorive të politologjisë në të gjitha regjimet demokratike, Kushtetuta duhet të garantojë liritë themelore (liria e fjalës, garanci kundër arbitraritetit, liria e shtypit, liria e protestës, etj.), ndarjen e pushteteve (ekzekutiv dhe legjislativ, kryesisht), e drejta universale e votës, organizimi i zgjedhjeve të lira e të rregullta dhe pluralizmi partiak.

Nëse zbatohet këto dhe parimet e tjera që rregullojnë dhe mbajnë në këmbë çdo sistem të demokracisë funksionale e liberale, atëherë liderët tasnë politikë janë në rregull me veten dhe me të gjithë ata që I besojnë dhe I votojnë. Në të këndërt, e gjitha çfarë bëjnë për tu hequr si besimtarë, është një shfaqje e kotë dhe pa vlerë.

Sepse ashtu sikundër Pashko Vasa ka thënë që mos shikoni kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria. Edhe në politikë, mund ti themi liderëve politike në këtë rast, se: Mos shkoni kot nëpër kisha e xhamia, sepse feja e politikës është demokracia! Kur nuk e zbaton rregullin bazë të “fesë politike”, siç është rasti I liderëve tanë të opozitës së vjetër, është e kotë të bësh sikur je një besimtar I devotshëm përpara Zotit dhe rregullave të shtëpisë së Tij!