Nga Mero Baze / 

Nuk e kisha dëgjuar apo njohur më parë Rezart Priftin, pedagogun që PD e kishte thirrur në Kuvend si prurje e re. Gjithë çfarë di prej tij, ishte ai fjalimi 3 minuta në Kuvendin e PD, kur fonia e kunatit u detyrua t’i hiqte fishën dhe të mos dëgjohej në sallë.

Dukej që nuk ishte njeri politik, ose më mirë të themi, njeri i kornizave politike të sistemit tonë partiak. Mendoi se po i çudiste duke cituar Trifon Xhagjikën, apo duke kritikuar stilin e fjalimeve të tyre puniste.

Por reagimi i vërtetë i PD nuk ishte ai i kunatit që i hoqi foninë. Reagimi i vërtetë i PD, është flakja e tij nga lista e Këshillit Kombëtar të PD.

Them që është e rëndë, pasi ajo listë nuk është një listë e votuar, por e diktuar. E diktuar, pasi aty ka njerëz që PD nuk i njeh dhe që janë qoka personale të Bashës për të mbyllur disa zëra kundër tij, ka tarafe mediokre të Berishës, ka fosile të PD prej 28 vjetësh që rrinë si anëtarë etj.

Kjo tregon që listën e fituesve e ka lexuar Basha dhe e ka printuar Jemini.

Dhe në këtë pike, shpresoja që Rezarti mund të futej si një shaka e hidhur e Bashës, që premton të ndryshojë PD-në, si një çarje nga mund të hynte pak oksigjen.

Nëse votimi do ishte real, nëse Kuvendi do votonte, nëse votat do të numëroheshin, e di që Rezarti nuk do fitonte, se PD e mbetur e urren atë frymë.

Por duke qenë se aty nuk numëron njeri vota dhe listat ofrohen për printim nga Basha, mendova që ky i fundit do ta bënte një gjest që të dukej njeri i hapur apo parti e hapur, duke e futur Rezartin në Këshillin Kombëtar, meqë e kishte ftuar vetë.

Ai e kishte marrë me aq emocion atë ftesë, saqë po mbrohej paraprakisht nga ata që e sulmonin pse kishte shkuar tek PD, duke përsëritur se në çfarë besonte për ta ndryshuar atë.

Por në të gjitha ato që beson ai, nuk beson Basha, nuk beson PD, por mbi të gjitha, nuk të lejon të besosh ai plaku që rri aty si një “mumje e balsamosur”, që për të mbijetuar duhet të ruhet nga dielli dhe oksigjeni.

Dhe Basha nuk mund ta lejonte Rezartin të futej në PD.

Rezarti dy ditë më parë ishte mes studentëve duke protestuar dhe duket që është i angazhuar si opozitar.

Bindja e tij se PD është në një moment që ka nevojë për njerëz si ai, dhe sidomos për ndryshim, dukej e plotë.

Por besoj tani e ka provuar, që problem i PD është pikërisht se nuk është një parti që ka nevojë që dikush ta ndryshojë.

Problemi i PD, është si të ruhet nga ata që duan ta ndryshojnë. Se PD tashmë është si ato mumjet që në mungesë të oksigjenti, rrojnë dhe 2 mijë vjet, por po ranë në kontakt me oksigjenin, të mbeten në dorë se kalben për një minutë.

I dashur Rezart që nuk të njoh! Mos e ngacmo mumjen!