Një gjykatë e Moldavisë shkarkoi sot përkohësisht presidentin, Igor Dodon nga detyrat e tij për të lejuar zgjedhjet e parakohshme, duke thelluar konfliktin mes dy palëve politike rivale në lidhje me krijimin e një qeverie të re pas disa muajsh bllokim.

Zëvendësimi i Dodonit me ish-kryeministrin Pavel Filip, menjëherë solli njoftimin e zgjedhjeve të parakohshme në Shtator, ndërkohë që mijëra mbështetës të partisë së Filipit ishin mbledhur në kryeqytetin Kishinau.

Kriza kërcënon për rritjen e destabilitetit në një prej vendeve më të vogla dhe të varfra të Europës me 3,5 milionë banorë, ku korrupsioni dhe varfëria kanë shtyrë shumë qytetarë të emigrojnë drejt Rusisë ose vendeve të pasura europiane.

Partia Socialiste e Dodonit që mbështetet nga Rusia njoftoi të shtunën se do të krijonte një koalicion qeverisës me partinë pro BE-së ACUM, një aleancë e pazakontë që synon të mbajë një parti të udhëhequr nga miliarderi Vladimir Plahotniuc jashtë pushtetit.

Partia Demokratike e Moldavisë e Plahotniuc deklaroi se administrata e re është përpjekur të uzurpojë pushtetin me urdhër të Rusisë, duke kritikuar refuzimin e Dodonit për të shpërndarë Parlamentin pasi palët dështuan në krijimin e një qeverie deri më 7 qershor, afati i përcaktuar nga gjykata.

Më shumë se 10 000 mbështetës të partisë së Plahotniuc dhe Filip zhvilluan një protestë, duke e quajtur Dodonin një tradhtar dhe duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Dodon tha se gjykata nuk ishte politikisht e pavarur dhe akuzoi demokratët se po përpiqen të marrin pushtetin. Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë.

“Qytetarët e Moldavisë me këndvështrime të ndryshme në lidhje me politikat e brendshme dhe të jashtme mund të mblidhen për të mirën e një qëllimi të përbashkët: çlirimin e Republikës së Moldavisë nga kriminelët dhe regjimi diktatorial”, tha Dodon në një deklaratë.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se t’i drejtohemi komunitetit ndërkombëtar të ndërmjetësojë procesin e një transferimi paqësor të pushtetit ose t’i kërkojmë popullit të Moldavisë një mobilizim të paprecedentë dhe protesta paqësore”, vazhdon ai.

Gjykata vendosi Filipin si president të përkohshëm për t’i lejuar atij të nënshkruajë një dekret për zgjedhje. Filipi tha se Dodoni nuk i ka përmbushur detyrimet e tij duke dështuar në shpërndarjen e Parlamentit duke e quajtur këtë “një përpjekje për grusht shteti”.

Në mes të shenjave për trazira që u shfaqën dje, zëdhënësja e BE-së bëri thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje, si dhe i kërkoi Moldavisë të respektojë shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Nga ana tjetër Rusia i bëri thirrje palëve të shmangin destabilizimin.

Liderja e ACUM-së, Maia Sandu, një ishi-ministre e Arsimit dhe këshilluese në Bankën Botërore, u përcaktua dje si kryeministre. Por gjykata e rrëzoi zgjedhjen e saj dhe atë të një figure të Partisë Socialiste të emëruar si president të Parlamentit.

Mbështetësit e partisë së Plahotniuc ngritën dje në mbrëmje tenda përpara ministrive dhe institucioneve shtetërore.

“Tendat e ngritura dje janë prova se Partia Demokratike kërkon të përdorë organet e zbatimit të ligjit për të futur vendin në kaos dhe të mbrojë një person të vetëm, Plahotniuc”, deklaroi Sandu sot në Parlament.

“Ata nuk duan që të ketë një tranzicion të paqësor të pushtetit. Urdhrat që jepen nga Plahotniuc janë të jashtëligjshme”, tha ajo.

Politikisht të ndarë

Moldavia është përfshirë nga destabiliteti politik dhe korrupsioni, veçanërisht që nga shfaqja e një skandali të njohur si “vjedhja e shekullit” në vitet 2014-2015 ku 1 miliardë dollarë, gati një e teta e të ardhurave të saj ekonomike, u vodhën nga tre banka.

Ish-republika e vogël sovjetike ndodhet mes Ukrainës dhe shtetit të BE-së, Rumanisë. Politikisht e ndarë, disa prej votuesve të saj preferojnë lidhje të ngushta me BE-në ose një ribashkim me Rumaninë, ndërsa të tjerë preferojnë një afrim me Rusinë.

BE-ja arriti një marrëveshje për lidhje tregtare dhe politike më të ngushta me Moldavinë në vitin 2014 dhe forcoi atë me një ndihmë por është bërë shumë kritike në lidhje me reformat që duhet të ndërmarrë Kishinau.

Zgjedhjet e zhvilluara në prill nxorën një Parlament të copëzuar dhe i hapën rrugën negociatave disa mujore për koalicion.

Dje zëvendëskryetari i Partisë Demokratike, Andrian Candu, deklaroi se Dodoni, ish-kryetari i Partisë Socialiste, i ofroi Demokratëve mundësinë e një koalicioni me kushte të përcaktuara nga Moska.

Kushtet e koalicionit kërkonin aplikimin e një plani afatgjatë që do e kthenin Moldavinë në një shtet federal që do i jepte të drejta speciale rajonit separatist të Transdniestrisë, që kërkon të bashkohet me Rusinë.

Kundërshtarët e këtij plani thonë se kjo do i japë Transdniestrisë dhe për pasojë Rusisë, shumë pushtet në mënyrën se si do të drejtohet Moldavia.

Dodni ka thënë se ideja e federalizmit të Moldavisë vjen nga Plahotniuc i cili ia ka ofruar këtë Moskës në këmbim të çështjeve kriminale që ka Rusia kundër atij. Sipas një deklarate nga Rusia thuhet gjithashtu se kjo ide vjen nga Plahotniuc.