Misioni i përhershëm i Francës në OSBE kërkon që opozita të dënojë dhunën e përdorur në protesta dhe të denoncojë autorët e saj.  “E drejta për të protestuar paqësisht është një element thelbësor i rrugëtimit demokratik të një vendi”, thuhet në deklaratën e misionit francez në OSBE. “Megjithatë të shtunën në 11 maj në Tiranë u vunë re zhvillime të dhunshme në protestat e thirrura nga opozita”, vijon deklarata.

Misioni thekson se është e rëndësishme që opozita të dënojë dhunën dhe të denoncojë autorët e saj, pasi dhuna kompromenton reformat demokratike dhe dëmton imazhin e Shqipërisë. “Pati të plagosur mes manifestuesve dhe forcave të rendit dhe dëmtime ndaj godinave, përfshirë këtu edhe banesën e përfaqësuesit të OSBE-së në Shqipëri. Është e rëndësishme që opozita të dënojë dhunën dhe të distancohet nga autorët e saj. Forcat e rendit duhet, nga ana e tyre, të tregojnë vetëpërmbajtje në menaxhimin e manifestimeve. Dhuna dëmton përpjekjet për reformë demokratike dhe imazhin e Shqipërisë. Vetëm dialogu mund të mundësojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të natyrës politike”, thuhet në mesazhin e misionit të Francës në OSBE.