Me më shumë se 10 milionë kopje të shitura, biografia e ish-zonjës së parë amerikane Mishel Obama, po thyen rekorde të reja, por njëkohësisht po i sjell ish familjes presidenciale dhe të ardhura të mëdha.

Libri i Mishel Obama “Becoming” është në garë për t’u bërë, autobiografia me më sukses në historinë e publikimeve, pasi ka shitur deri tani më shumë se 10 milionë kopje.

Lajmi konfirmohet nga Bertelsmann, shoqëria që drejton shtëpinë botuese “Penguin Random House”. Administratori i deleguar i shoqërisë u shpreh se, autobiografia e ish-zonjës së parë amerikane mund të bëhet më e suksesshmja në historinë e biografive.

Parashikimi bëhet në të njëjtën kohë me publikimin e rezultateve vjetore të shoqërisë Bertelsmann, e cila e ka mbyllur vitin 2018 me 17.7 miliard euro fitim, niveli më i lartë që nga viti 2007, pikërisht falë librit ‘Becoming’.