Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon qytetarët, se gatishmëria e ekipeve të Qendrës Kombëtare të Urgjencës mjekësore dhe spitaleve, gjatë dhe pas protestës së opozitës, e cila u shoqërua me akte dhune, ishte maksimale. Policët dhe qytetarët e lënduar kanë marrë në kohë rekord shërbimin e nevojshëm mjekësor, nga ana e personelit mjekësor, qoftë në vendngjarje, qoftë në mjediset spitalore.

Gjatë protestës së djeshme, 30 persona janë transportuar me autoambulancat dhe ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, nga të cilët 18 punonjës policie dhe 12 protestues, kalimtarë të rastit dhe punonjës të medias, kryesisht të lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike dhe bombave molotov. Të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor në spitalin universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”.

Gjendja e të lënduarve paraqitet e mirë dhe pjesa më e madhe e tyre kanë lënë spitalin.