Sipas ministrit Sandër Lleshaj Policia e Shtetit e ka bërë punën e saj në shoqërimin dhe sigurimin e transferimit të parave të grabitura në Rinas dy ditë më parë.

I ftuar në Real Story me Sokol Ballën, Lleshaj ka thënë se nuk ka funksionuar puna e bankave pasi ato nuk kanë vendosur GPS (sistem i sinjalizimit të vendndodhjes) dhe as shpërthyes boje në thasët me para.

‘Ka çeduar pjesa e bankave. Mesa kemi informaccion bankat nuk kanë vendosur GPS në thasët me para.

Gjithashtu nuk kemi dijeni të jenë përdorur dhe shpërthyes boje.

Pjesa e punës së Policisë së Shtetit është zbatuar nga ana e saj, pavarësisht se pjesërisht sepse pjesa tjetër ishte në dorën e bankave’, ka thënë ministri Sandër Lleshaj.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka treguar se sa ka qenë shuma e vërtetë e parave të grabitura në aeroportin e Rinasit dy ditë më parë.

Lleshaj ka treguar se në fakt nuk janë grabitur as 7 milion dhe as 10 milionë euro, por 5 milionë euro, pra një shifër rreth 5 milionë.

Ndërkohë më tej, Lleshaj ka shtuar gjithashtu se kur grabitësit kanë ndërruar furgonin për të kaluar në një mjet të dytë, e kanë vendosur atë kryq në rrugë duke bërë të pamundur ndjekjen e mëtejshme nga Policia.

‘Shifra që kam unë është afër 5 milion eurove. Nuk është as 7 as 10. Pra ka qenë diçka rreth 5 milion. Kur grabitësit kanë ndërruar mjetet kanë lënë furgonin kryq dhe kanë bllokuar rrugën.

Të gjitha parat i kanë kaluatr në mjetin e dytë. Kur po kalonin paratë është afruar policia dhe ka nisur shkëmbimi i zjarrit. Ka qenë vendosja e furgonit me shkrimin ‘Hetimin Tatimor’ kryq që ka penguar vazhdimin e ndjekjes nga Policia’, ka thënë ndër të tjera ministri Sandër Lleshaj.