Presidenti Ilir Meta i ka hedhur benzinë zjarrit duke i mëshuar idesë së tij që në datën 30 qershor nuk do të zhvillohen zgjedhje, duke bërë një reagim të gjatë ku shprehet se palët nuk duhet të masin forcat. Edhe pse në shkelje të Kushtetutës, Presidenti Meta mesa duket nuk tërhiqet dhe po i “shijon” përplasja me militantëve dhe bashkiakëve me punonjësit e Policisë së Rendit. Pas aktit të fundit në shkelje të Kushtetutës, Ilir Meta nuk është më Presidenti i Republikës por bashkë-kryetar i opozitës dhe bashkëshort i Monika Kryemadhit.

Reagimi i plotë: U bënë dhjetë ditë që është në fuqi dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më datë 30 qershor, me qëllim qetësimin e situatës dhe krijimin e mundësive për dialog, që do të normalizonte situatën politike dhe do të krijonte mundësinë për një datë të re të zgjedhjeve vendore, gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Theksoj sërish se nuk është kurrsesi momenti për prova force, për retorikë përçarëse dhe provokuese, por për maturi dhe përgjegjshmëri të lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e integrimit evropian që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Sërish insistoj me forcë rëndësinë e dialogut mes palëve e njëkohësisht gatishmërinë time për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë.