Në një artikull të mëparshëm theksuam pasojat e rënda që ka tek fëmijët ekspozimi i tepërt i pajisjeve teknologjike. Siç e thamë, situata është problematike dhe hapi i parë që duhet ndërmarrë është padyshim, heqja e telefonit nga duart e tyre. Kjo masë nuk është edhe aq e thjeshtë sa tingëllon, duke ditur që tundimi i të vegjëlve prej teknologjisë është i madh, por gjithsesi duhet gjetur mënyra e duhur. I pyetur nga gazeta Shëndeti, mjeku logoped Erges Eskiu ka dhënë disa këshilla për prindërit ku thekson se komunikimi i duhur dhe vendosmëria është çelësi.

“Pasi ia kemi shpjeguar këto me fjalë të thjeshta, i themi që prej këtij momenti e në vazhdim ti nuk do e marrësh më telefonin ose tabletin. Unë mendoj dhe gjykoj se është e dëmshme për ty kjo gjë ndaj jam i/e përgatitur të të mbrojë ty si fëmijën tim që të kam dhe se të dua shumë. Ai mund të protestoj, mund të qaj, mund të refuzoj të ushqehet, mund të përplas derën e frigoriferit, mund të godas televizorin, mund të plas kokën në dysheme, këto janë gjëra që ndodhin me fëmijët kur hasin vështirësi në gjetjen e mënyrës së duhur për të arritur rezultatin e dëshiruar, por ti duhet të jesh i vendosur t’ia ndalosh sepse ajo është e dëmshme për të. Ai mund bërtas që të fitojë vëmendje më të madhe apo se nuk di ç’të bëjë më, por ti nuk mund të dorëzohesh sepse kjo është në të mirën e tij.”- shpjegon ai.

Ndër të tjera, mjeku nënvizon se kurrsesi nuk duhet përdorur dhuna apo gjuha e tensionuar. Gjëja më e mirë që prindërit mund të bëjn është bindja përmes argumenteve dhe kurrsesi të mos dorëzohen, duke i shkuar deri në fund këtij vendimi në të mirë të shëndetit të tyre. Po ç’duhet bërë në rast se fëmija revoltohet dhe proteston jashtë parashikimeve?

“Nëse fëmija po shfaq sjellje autodestruktive, apo po bëhet i dhunshëm ndaj të tjerëve a mjedisit që e rrethon ju duhet ta bllokoni atë nga duart ose edhe këmbët nëse është e nevojshme dhe ti shprehni me fjalë:- po të mbaj bllokuar dhe do të mbaj të bllokuar derisa ti të qetësohesh dhe të mos më godasësh mua ose të tjerët. Telefonin nuk ke për ta marrë. -Më dëgjo, unë jam më i madh se ty, jam më i fuqishëm se ty, jam më i fortë se ty, por unë nuk të dhunoj sepse dhuna nuk është mjet komunikimi.” Shembulli i mësipërm duket të jetë efektiv dhe në fund të disa përpjekjeve, fëmijën tuaj do ta shihni që s’kalon më orë të tëra me një celular në dorë.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here