Ndërsa Britania e Madhe me ankth i ka kthyer sytë nga Brexit, qeveria skoceze po pret momentin e duhur, me shpresën për të arritur qëllimin e saj, pavarësinë. Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon kundërshtare e flaktë e Brexit ka në plan të shprehet më shumë këtë muaj për projektet e saj në aspektin e pavarësisë. Deri më tani ajo e kishte shtyrë afatin, duke pritur të shihte kthesën që do të merrte Brexit.

Megjithëse çështja e pavarësisë përbën ashtu si Brexit një temë debati, shtyrja e mëtejshme e datës së largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian nuk ndikoi aspak për t’a zgjidhur atë. Në vitin 2014, gjatë referendumit për pavarësinë e Skocisë 55% e votuesve shprehën vullnetin e tyre për të qëndruar në Britaninë e Madhe. Dy vite më vonë, në referendumin për Brexit skocezët votuan 62% kundër Brexit, ndryshe nga Anglia dhe Uellsi.

”Qeveria është një mbështetëse e zjarrtë e idesë së një Skocie të pavarur në Bashkimin Europian’’, pohon për median Ben Macpherson, ministri skocez për Europën në Leith, në lindje të Edinburgut.