Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të premten se Bashkimi Evropian synon të mbështesë partnerët në Ballkanin Perëndimor në ardhmërinë e tyre evropiane dhe të lehtësojë përparimin e tyre drejt integrimeve, sepse kjo është përgjegjësi strategjike e bllokut.

Ajo i bëri këto komente në përfundim të takimit të kryeministrave nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me kolegët e tyre nga vendet anëtare të Bashkimit evropian në Poznan të Polonisë, për të diskutuar mbi procesin e anëtarësimit në bllok.

Takimi në Poznan është në vazhdën e atij që është quajtur procesi i Berlinit, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, për të demonstruar përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj aspiratave të rajonit për anëtarësim.

“Pra kjo nuk është një ngjarje që e bëjmë për të tjerët, por kjo është edhe në interesin tonë. Nëse e shihni peizazhin më të gjerë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rrethuar me vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe këtë e shohim si përgjegjësi strategjike”, tha zonja Meërkel, sipas së cilës janë shënuar përparime në rajonin e Ballkanit, por vështirësitë mbeten aty.

Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, po kërkojnë garanci se rruga e anëtarësimit është e hapur, pasi që disa udhëheqës evropiane ngritën mëdyshjet për gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar.

Të hënën presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se “do të refuzoj çfarëdo zgjerimi para se të kryhen reforma të thella në funksionimin institucional të Bashkimit Evropian”. Zgjerimi kërkon mbështetje të njëzëshme të vendeve anëtare.

“Pajtohem me pikëpamjet e presidentit Macron se mekanizmat e BE-së duhet të përmirësohen”, tha kancelaria Merkel. “Nuk e shoh këtë si braktisje të negociatave për zgjerim”.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, e kritikoi sot Bashkimin Evropian për shtyrjen hapjes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe i bëri thirrje bllokut që t’iu ofrojë vendeve të Ballkanit një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian shtyu për në vjeshtë vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të mëdyshjeve të disa vendeve anëtare përfshirë Francën dhe Holandën.

Serbia dhe Mali i Zi, llogariten si favorit ndërsa Maqedonia e Veriut shpreson që marrëveshja me Greqinë rreth emrit të saj, do t’i hapë dyert e BE-së.

Serbia megjithatë, nuk mund të përparojë në proces pa një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të premten në Poznan se dallimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse janë të mëdha mund të zgjidhen por ekziston një rrafsh më i gjerë politik, ku duhet të merren vendime të guximshme, tha ai duke theksuar se duhet një kuadër i një marrëveshjeje mbi bisedimet për njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve në kufijtë ekzistues të tyre.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se nuk e kupton “çka do të thotë njohje e ndërsjellë, sepse për ne nuk është e domosdoshme njohja nga Prishtina”.

Beogradi akuzon Prishtinën se ka bllokuar procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me vendosjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në nëntorit të vitit të kaluar dhe kërkon heqjen e menjëhershme të tyre, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin për kushtëzim bisedimesh.

Qëndrimet e pandryshuara të palëve bënë që të dështojë edhe një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, për një takim në Paris në fillim të këtij muaji për ripërtëritjen e bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane. VOA