Liderët populistë si ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini shpesh portretizohen si njerëz të përkushtuar ndaj shkatërrimit të BE-së. Me fjalë të ashpra ndaj Brukselit dhe dashamirësi për udhëheqësit si Putin i Rusisë dhe Trump i Amerikës, ata mbërthejnë qeveritë kombëtare për të dëmtuar integrimin europian. Këto janë të vërteta, por e vërteta më e madhe dhe më shqetësuese sipas Alexander Clarkson për Politico.eu është diçka tjetër.

Salvini dhe aleatët e tij ideologjikë përdornin retorika nacionaliste teksa ndodheshin në opozitë, madje u ofruan të ndërprisnin marrëveshjet me ‘armiqtë ideologjikë’, vetëm që të merrnin votat e njerëzve. Populistët e ekstremit të djathtë kanë shumë më pak gjasa të duan të shkatërrojnë BE e të kalojnë në disavantazh, sesa të përpiqen të bashkëpunojnë me BE-në e të avancojnë, sigurisht duke e shfrytëzuar për interesa të tyre axhendën europiane.

Nëse doni shembull e keni të freskët. Mjafton të lexoni për mënyrën se si Salvini ka arritur të përballë qeverinë italiane me Komisionin Europian lidhur me buxhetin. Edhe pse ai tha se BE po bën presion dhe po ndërhyn në çështjet e brendshme të Italisë, i kërkoi ministrit italian të Financave, Giovanni Tria të arrinte një marrëveshje të mirë me BE-në.

Rezultati? U miratua një buxhet që i mundëson Salvinit të përmbushë premtimet që bëri, duke detyruar partnerin e tij në koalicion, Di Maion e 5 Stelli, të tërhiqet…

Umberto Bossi, themeluesi i partisë së djathtë të Salvinit, e shprehu hapur se ishte kundërshtar i centralizmit të Romës teksa ishte pjesë e qeverisë italiane. Ndërsa Salvini po tregohet i shkathët në trajtimin e çështjeve nga Brukseli. Kjo gjë bën që kundërshtarët e tij të kapen të papërgatitur.

Ata që besojnë në agjenda socialdemokrate, jeshile apo liberale janë mësuar me idenë se populistët e ekstremit të djathtë janë automatikisht kundër BE-së. Por në fakt, populistët e sotëm luftojnë dhe mendojnë për mënyrën se si të bashkohen me populistët e tjerë, ta përhapin në BE duke krijuar një lloj bashkëjetese, dhe se si ta përdorin BE në avantazhin e tyre.

Doni shembull? La Lega e Salvinit është përplasur me partinë Austriake “Për Liri”, pasi lideri austriak ka kërkuar shtetësi të dyfishtë dhe akses më të madh për folësit gjermanë në rajonin italian të Tirolit. Pavarësisht debateve, po punohet fshehurazi për një axhendë të përbashkët ideologjike mes aktivistëve dhe liderëve të ekstremit të djathtë të të dy vendeve.

Intelektualët ekstremistë të Francës, Italisë dhe Austrisë duan të krijojnë një grup dhe të plotësojnë synimet e tyre ideologjike, jo duke e dëmtuar por duke e mbajtur pranë BE-në. Pra në vend që të kërkojnë të shkatërrojnë BE-në, me lëvizjet e tyre po kërkojnë një reformim, që të mos ketë më forca kundërshtare apo rivalë gjeopolitikë.

Në vend që të shkatërrojnë BE-në, populistët e ekstremit të djathtë ndihmojnë në përshpejtimin e militarizimit të BE-së, që pushteti i tyre të zgjerohet. Të ballafaquar me këtë fleksibilitet ideologjik, politikanët pro-BE do të duhet të mendojnë e të tregohen të zgjuar se si të mbrojnë BE-në nga ata që do e keqpërdorin për të promovuar një vizion më të errët të Evropës, vizionin Nacionalist! Artikulli i marrë nga Politico.Eu/ Tiranapost.al

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here