Mario Giuffredi, menaxheri i Elseid Hysajt, ka konfirmuar se Atletico Madridi i ka bërë Napolit ofertë për mbrojtësin shqiptar, të cilën e vlerëson si shumë të ulët. Giuffredi foli të hënën për Radio CRC për situatën e yllit të Kombëtares së Shqipërisë, i cili do të largohet nga Napoli këtë verë.

Për Hysajn interesim kanë shprehur Juventusi dhe Atletico Madridi, me këtë të fundit që ka bërë ofertë për të tashmë. “Oferta e Atletico Madridit ishte shumë e ulët dhe nuk e pasqyron vlerën e lojtarit. Ishte nën 25 milionë euro, kaq mund të them. Napoli i vë çmim atij jo unë, por Elseidi mund të dëshirojë ta përjetojë një përvojë të re jashtë Italisë dhe kush mund ta refuzojë Atletico Madridin”, shpjegoi ai.

Hysaj përmendet si synim i Juventusit nëse Maurizio Sarri emërohet trajner i klubit torinez. “Pse Hysaj nuk duhet të shkojë në Juventus? Ai është profesionist. Unë nuk e pranoj përdorimin e fjalës ‘tradhtar’ në futboll. Të gjithë janë profesionistë dhe e bëjnë atë që e vlerësojnë të drejtë për karrierën e tyre”, shtoi menaxheri.