Nga Pandeli Bardhi/

Në alternativën “më mirë “djepin” bosh apo me “shejtanin” brenda, konkluzioni i LSI-stëve, është që më mirë të kemi “shejtanin” brenda në “djep” dhe jo vetëm kaq, por që edhe “djepin” ta tundin “shejtanët!

Duhet një mëndje LSI-sti si Monika, që të dalësh në këtë konkluzion të tillë që edhe vetë Basha, edhe të parët e tij, që e “lindën” dhe e rritën vetë “shejtanin” nuk dalin në këtë konkluzion.

Në këtë konkluzion dalin vetëm ata që i janë errur edhe sytë, edhe arsyeja nga humbja e pushtetit dhe ecin të çekuilibruar, prandaj edhe nuk i dëgjon kush sepse e dinë se çfarë do të presin nga politikanë të kësaj natyre.

Që në fillim duhet të pohojmë që vendi ndodhet në “agoni” dhe pret frymëmarrje, pret drejtësi, pret progres. Le të flasim me gjuhën e Monikës, kryetares së LSI-së: “Qeveria e mazhoranca moniste duhet të kuptojë se është përgjegjëse e drejtpërdrejtë e lënies së vendit pa gjykata! Dhe më tej: “As regjimi i Kim Jong nuk ia ka bërë këtë gjëmë vendit të vet”! Çfarë “zbulimi” ka bërë Monika, e cila me këtë llaf të madh që ka thënë!

E meriton edhe ai Kim Jong Un-i një çizme të mirë që e ka lënë vendin pa gjykata! Të vendosur në rrugën e tyre në dëm të interesave kombëtare, opozitarët nuk bëjnë gjë tjetër përveç asaj që të vënë shkopinj nën “rrota”, për të bërë ç’është e mundur që të pengojnë konsolidimin e shtetit ligjor, zbatimin e ligjit dhe konsolidimin e demokracisë në përgjithësi.

Është e vërtetë që vendi sot ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese, atë Gjykatë që ka të bëjë me zbatimin e Ligjit Themelor, Kushtetutës. Në të ardhmen, siç janë gjasat, do të mbetet edhe pa Gjykatë Supreme, apo të Lartë.

Deri këtu, konkluzioni është i saktë, por deri këtu u intereson opozitarëve të tipit Monikë dhe Bashë dhe më tej, nuk e shtyjnë.

Po të shkojmë më tej e të gjykojmë më mendje të kthjellët e me gjakftohtësi, do të shohim që ka edhe më “ruda” akoma! Edhe njeriu më naiv në politikë, do të ishte dakord me ç’do opozitar që do të dilte në konkluzion se ku është shkaku që vendi arriti deri këtu, që sot të mbetet pa gjykata, dhe gjykata jo sidokudo, por pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë Supreme.

Ata që janë përgjegjës, dhe përgjegjësit e vërtetë janë këta që sot janë në opozitë, nuk kanë kurajon të thonë apo të pranojnë qoftë edhe një “grimë” përgjegjësie, për këtë “farë” gjykatësish dhe prokurorësh që “mbollën” dhe u rritën si fara e kanabisit!

Vendi, të dashur opozitarë ka njëzet e tetë vite që nuk funksionon drejtësia por “lulëzon” shtrembësia! E “mbollën” këtë farë gjykatësish e prokurorësh tek “Plepat” dhe ata u rritën “të drejtë” si plepat!

Nuk janë këta pronarë kioskash apo Kryepleq fshati, por janë njerëzit e drejtësisë, janë ata që hedhin firmën në emër të Republikës, janë ata që japin drejtësinë janë ata ku janë të varura shpresat e çdo qytetari i çfarëdo rangu qoftë. Po çfarë drejtësie mund të presësh nga këta të korruptuar e që kanë zhvatur pasurinë e qytetarëve?

Çfarë drejtësie mund të presësh nga këta që kanë menduar vetëm e vetëm për pasurimin e tyre dhe të të afërmve të tyre dhe nuk kanë punuar aspak për të dhënë drejtësi që qytetarët të krijojnë besimin tek drejtësia? Nga diktatura, ku pothuaj të gjithë ishin të barabartë me diferenca të vogla, me fillimin e sistemit të ri, një pakicë e vogël shkoi në majat më të larta dhe shumica dërrmuese, humbi edhe ato pak që i kishte siguruar Diktatura! Pse kështu? Mos vallë shkuan në majë të Piramidës ata që e meritonin e që trashëguan prona e pasuri nga të parët e tyre? Jo, aspak.

Në majë të Piramidës, shkuan më të fortët, ata që ishin mjeshtra të vjedhjes e të korrupsionit! Dhe kjo së pari u bë me bekimin e organeve të drejtësisë. Kush ishin këta që shkuan në majë të Piramidës me prona e pasuri përrallore?

Ishin politikanët, mjeshtrit e vjedhjes e të korrupsionit, gjyqtarët e Prokurorët që e bënë Ligjin “pronën” e tyre dhe jo “pronën” e të gjithëve! Gjyqtarët dhe prokurorët sot, duhet të kuptojnë atë që mbi të gjitha, krizë mbi kriza këtu, është kriza e besimit. Duke humbur besimin tek drejtësia, qytetarët kanë humbur besimin tek krejt Klasa Politike.

Është e dhimbshme, por është një e vërtetë që sipas DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar), nga tetëqind subjekte gjyqtarë e Prokurorë, dyqind prej tyre, të paktën deri tani nuk e justifikojnë pasurinë e tyre e më keq akoma të lidhur me krimin e korrupsionin në rrugë e forma të ndryshme.

A mos vallë nuk e kuptojnë qytetarët që në mungesë të drejtësisë dhe të humbjes së besimit ndaj saj i janë drejtuar vetëgjyqësisë? Sa viktima të kësaj natyre janë shkaktuar? Sa jetë njerëzish kanë marrë në qafë këta gjyqtarë e prokurorë që kanë menduar vetëm për të mbushur xhepat e tyre?

Sa shqetësime kanë krijuar këto njëzet e tetë vite këta gjykatës e prokurorë që kanë hedhur firmën sipas interesave të tyre të vjedhjes dhe jo sipas ligjit? Këtë shifër jep DISK, por sa e sa të tjerë gjyqtarë e prokurorë kanë gjetur format dhe mënyrat për të fshehur “të palarat” e tyre sepse edhe kohën e kanë patur të mjaftueshme, më shumë se dy vjet. Si është e mundur që askush nga opozitarët nuk gjen shkakun e vërtetë të kësaj gjendje, por fajëson vetëm Edi Ramën, i cili sipas tyre, “është përgjegjës që reforma në drejtësi po “deformohet” se “nuk ka reformë në drejtësi me Edi Ramën, Kryeministër. etj., etj., “xhingla mingla” që askush nuk ja vë veshin sepse e kanë shumë të qartë se çfarë do të nxjerrin nga goja opozitarët e dështuar të sotëm që vetëm rolin e opozitës së vërtetë konstruktive nuk e luajnë! Duam apo nuk duam, kjo është e vërteta dhe “mana për tërhana, shpik sa të duash dhe sidomos opozitarët që ja kanë mirë dorën kësaj mënyre!

Duke qenë që Rama “po pengon reformën në drejtësi apo po e deformon atë” sipas opozitarëve që u digjet barku për vendin atëherë juve opozitarë miratoni Ligjin për magjistraturën i cili kërkon 84 vota në mënyrë që reforma në drejtësi, të eci përpara .

Por kjo, shfrytëzohet mjeshtërisht nga opozitarët e LSI-së dhe bashistët” të cilët fërkojnë duart që Rama u erdhi në “shteg”! Monika, për këtë përgjigjet: “LSI është parti në opozitë me monizmin dhe Rilindjen!. Si e tillë ajo nuk merr vendime të tilla e vetme dhe të pa harmonizuara me partitë e tjera në opozitë. Nëse qeveria moniste do vërtet të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj katrahure demokratike, duhet të na ftojë, jo ne si individë, por partitë e opozitës në tryezën e dialogut politik”.

Po të jetë e interesuar Monika e bën këtë, por ajo kërkon që të marri edhe Lulin për dore! Problemi është i qartë. Opozitarët e sotëm nuk duan dialog politik, ata duan vetëm marrjen e pushtetit në tavolinë të cilën nuk kanë për ta marrë kurrë me këtë rrugë që kanë nisur.

Sipas Monikës Rilindja u shndërrua në “Monizëm” qysh kur LSI-ja doli nga koalicioni sepse kur ajo ishte në Koalicion e që hante e pinte “qesim”, vetëm atëherë kishte demokraci.

E megjithatë, duan apo nuk duan opozitarët, reforma në drejtësi do të eci përpara sepse edhe populli eka shumë të qartë se kush janë ata që bëhen pengesë për realizimin e saj.

Nuk u ka fajin askush që ata prezantohen vetë se cila është fytyra e vërtetë e tyre. Të dalësh e të “dërdëllisësh” gjithë ditën për Edi Ramën, këtë “përbindësh” që bën “gjithçka” e që ka “korruptuar” edhe ndërkombëtarët, është më shumë se sa bezdisje për vetë ata, që gjejnë vetëm këtë “shkak” për ngecjen e reformës në drejtësi.

Opozitarët e kuptojnë por nuk u intereson të nxjerrin shkaqet e vërteta të kësaj gjendjeje. Sikur të kishin ndëshkuar të paktën me ndonjë llaf në “erë” për gjyqtarët e prokurorët që e kanë deformuar drejtësinë, edhe do të ishin një grimë të besueshëm, por kur ata mbështetin ato veprime antiligjore të tyre, kur ata mbështetin pasurimin e tyre në kurriz të qytetarëve, bëhen edhe më shumë fajtorë nga vetë ata dhe për këtë, populli ka sy e veshë, i gjykon se me cilin ka të bëjë. Një opozitë e çoroditur, me njerëz të etur për pushtet e për të vjedhur nuk i beson më askush. Ora e tyre ka mbetur tek gërmadha e teatrit, të prishet apo të mos prishet!

Eh, nuk e di ç’të them! Sikur këta opozitarë, një të qindën e asaj që kanë bërë për teatrin, të kishin bërë për atë që këtu është shkatërruar drejtësia, prona private dhe ajo publike, është shpërdoruar besimi dhe është vrarë shpresa e qytetarëve për të ardhmen më së shumti nga këta njerëz të drejtësisë, do të bëheshin dikushi por duan të mbeten “askushi”!

Edhe vetingun e quajnë farsë edhe KPK-në “antiligjore”, njësoj si Rovena! “Rovenistët” e opozitës nuk flasin që vendi ka njëzet e tetë vjet pa drejtësi, por i “shqetëson” një apo dy muaj pa gjykata, kur vendi na më shumë se një çerek shekulli pa të tillë! Krahasuar me të gjitha këto ç’ka thamë, a nuk është më mirë që “djepi” të jetë bosh përkohësisht?

Midis dy të këqijave, do të pranosh të keqen më të vogël! Duke qenë i tillë, nuk do të vonojë shumë që ai të mbushet me ata që e meritojnë, por halli më i madh është kur “djepi” ka shejtanin” brenda si do të bëhet halli! Dhe ata që e rritën shejtanin, tani kërkojnë t’ua lënë në “prehër” të tjerëve dhe vetë, të mendojnë për të tjerë “djaj” në të ardhmen!(SOT)