Sot hyri në fuqi ligji për mbylljen e pikave të basteve sportive, kazinove elektronike, dhe të basteve të çfarëdolloji, përfshirë edhe bastet online.

Ky vendim ka sjell dhe reagimin e pikave të basteve si edhe atyre të lojërave të fatit ku sot më 1 janar të 2019-ës, nga një vëzhgim i ATSH-së konstatohet se reklamat në këto pika janë hequr.

Disa kanë vendosur t’i kthejnë në biznese të ndryshme ndërsa të tjerë kanë vendosur t’i nxjerrin ambientet me qera.

Në rrugën midis Liceut Artistik dhe Radio Televizionit Shqiptarë një pikë baste sportive tashmë është mbyllur dhe kanë vendosur njoftimin ‘jepet me qera’.

Banorët e zonës duken entuziast nga ky vendin. Një zonjë në moshë mesatare, me një fëmijë të vogël në krah shprehet e lumtur për mbylljet e basteve dhe kazinove. “Ishte një vendim që duhej marrë me kohë, kishte një kosto të jashtëzakonshme dhe për buxhetin familjar. Fëmijët e vegjël në vend që të rendnin pas topit, kishin mendjen të luanin skedina në baste, nuk kishte asnjë kontroll. Prandaj jam e lumtur, pasi të paktën ky rrezik nuk i kanoset më fëmijëve tanë”, shprehet ajo.

“Shpresojë të mos rihapen më. Duhej ky ndryshim, duhej një nismë e fortë ligjore për të ndalur këtë çmenduri, ky në çdo dhjetë metra ishte një pikë basti”, shprehet një tjetër qytetar.

“Unë kam luajtur, por s’kam fituar”, shprehet një maturant. “Më mirë që u mbyllën se kështu s’do humb më para me këtë lojë. Ndoshta kështu dhe do kursejë para më shumë për vete. Unë punoj dhe kamarier te një lokal në bllok dhe më iknin lekët tek bastet. Uroj të më iki ky ves”, u shpreh ai.

Ndërkaq sipas udhëzimeve përkatëse, policia ka identifikuar më herët të gjitha llotot dhe kazinotë dhe nga dita e sotme do të nisë verifikimin e tyre në terren për mbylljen e plotë të tyre.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here