“Mbi 91% e bizneseve sot në Shqipëri kanë taksën më të ulët në rajon, nga 0 – 5% dhe kjo do të thotë më shumë investime, më shumë punësim, më shumë mundësi për rritje pagash”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi sot një sipërmarrje që përfiton nga ulja trefish e taksës mbi fitimin.

Ne na intereson vetëpunësimi dhe punësimi, tha Kryeministri Rama, duke shtuar se “kjo fashë biznesesh është shumë interesante nga pikëpamja e fillimit të sofistikimit të biznesit”.

Sipërmarrja, të cilën vizitoi sot Kreu i Qeverisë, merret me prodhim dyersh e dritaresh alumini dhe plastike dhe eksporton kryesisht në Itali, Gjermani dhe Zvicër.

Ajo ka investuar në drejtim të teknologjisë bashkëkohore, duke garantuar shpejtësi dhe cilësi në prodhim. Po ashtu, kompania është certifikuar gjë që e ndihmon drejt eksportit. “Tani do na ndihmojë shumë ajo ulja që keni aplikuar me 5%. Shpresojmë që do vazhdojmë të rritemi, se deri tani po rritemi gradualisht. Asistenca që ka dhënë qeveria me uljen e tatim-fitimit do të na ndihmojë. Atë pjesë do ta investojmë, do marrim fuqi punëtore,” deklaroi përfaqësuesja e kësaj kompanie.

Rama i informoi sipërmarrësit se qeveria ka filluar një skemë të re për ta vënë në dispozicion të kompanive direkt për trajnime, në mënyrë që kompanitë të kompensojnë pjesën bosh sa i takon krahut profesional të punës.

“Të marrësh një punonjës të pakualifikuar nuk jep rendiment dhe duhet ta paguash. E vërteta është se kudo, në çdo kompani, ka vende pune por nuk ka punëtorë të kualifikuar. Ata që nuk e njohin fare realitetin e tregut të punës tallen, por kjo që ne kemi sot është rezultat i sistemit arsimor, pasi kemi mbushur universitetet dhe kemi lënë zbrazëti në arsimin profesional, ku duhet të investojmë më tepër”, tha Rama.

Sipas ministrit në detyrë të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj kjo sipërmarrje është ndihmuar nga AIDA për t’u certifikuar dhe certifikimi i ka drejtuar drejt eksportit.

“Xhiroja vjetore në 140 milionë është vetëm një shkallë për të kapërcyer më tej. Jemi duke folur për kompani të vogla që ndihmohen nga politikat e qeverisë për të kapërcyer në një nivel tjetër”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, “do të jenë 20 mijë qytetarë e studentë që do të trajnohen me aftësi teknike specifike edhe për manovrim makinerish”.

Rritja e pragut të xhiros vjetore, nga 80 milion në 140 milion lekë për biznesin e vogël, gjë që ka ulur nga 15% në vetëm 5% tatim-fitimin për këtë fashë që nga janari 2019, po shihet si një impuls i ri në modernizimin dhe zgjerimin e biznesit.

Kompani të vogla tani mund të kapërcejnë në nivelin tjetër, falë zgjerimit të aktivitetit si rezultat i uljes trefish të tatim-fitimit, ulje që shkon për investime në teknologji, apo në drejtim të fuqisë punëtore.