Sezoni 2018/19 ka qenë i mrekullueshëm për Kylian Mbappen. Në vetëm sezonin e tij të dytë me fanellën e Paris Saint-Germainit, ai u shpall sërish kampion dhe e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë i ligës. Skuadra e tij i grumbulloi 91 pikë gjatë sezonit dhe sulmues francez kontribuoi me 33 gola dhe shtatë asiste në këtë triumf të PSG-së. Pastaj, ai i fitoi edhe dy çmime për paraqitjet e tij: Lojtarin më të mirë të vitit në Ligue 1 dhe Onze de Bronze.

Për shkak të paraqitjeve të tij, SoccerEx e ka vlerësuar francezin për të dytin vit radhazi si lojtarin më të vlefshëm në botë nën moshën 21-vjeçare. SoccerEx e bën këtë listë në bashkëpunim me PrimeTime Sport, duke e vlerësuar moshën, klubin, numrin e paraqitjeve me ekipin kombëtar, golat, lëndimet dhe perceptimin për ta në treg.

Për të dytin vit radhazi, Mbappe e kryesoi këtë listë. Vlera e tij besohet se është 234.8 milionë funte. Për ta krahasuar, Lionel Messi vlerësohet me 135 milionë funte, ndërsa Ronaldo me 81 milionë. Në listën e këtij viti të SoccerEx, Jadon Sancho i Dortmundit u radhit në pozitën e dytë, me vlerë 107 milionë funte, pothuajse gjysma e vlerës së Mbappes.