“Diversifikimi i Energjisë, Burimeve të Rinovueshme dhe Efiçencës së Energjisë”, ishte tema e Forumit të Kartës Ndërkombëtare të Energjisë, presidencën e së cilës për këtë vit e mban Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues nga të gjitha vendet anëtare. Përmes disa paneleve u trajtuan çështje të cilat lidhen me objektivat e kartës së Energjisë.

Në fjalën hapëse, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke uruar mirëseardhjen në Tiranë të vendeve anëtare pjesë e forumit, theksoi se zhvillimi i Forumit të Konferencës së Kartës së Energjisë 2019 nën presidencën shqiptare është një nga ngjarjet më të rëndësishme për sektorin e energjisë në Shqipëri dhe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë veçanërisht.

“Prioritetet e presidencës shqiptare, që reflektojnë dhe parimet dhe objektivat e Kartës së Energjisë, janë ndërlidhja me rrjetet rajonale të energjisë, krijimi i një tregu energjetik konkurrues, inkurajimi i procesit të tranzicionit të energjisë mbështetur në rritjen e kapaciteteve të gjenerimit të saj nga burime të rinovueshme si dhe modernizmi i traktatit të Kartës”, u shpreh Balluku duke shtuar se në fokus të këtij mandati mbetet edhe zgjerimi i vazhdueshëm i Kartës nëpërmjet anëtarësimit të vendeve të reja.

Duke u ndalur tek Shqipëria, Balluku nënvizoi se prioritet mbetet diversifikimi i burimeve për prodhimin e energjisë në vend. “Shqipëria ka vendosur si prioritet të parë të saj diversifikimin e burimeve për prodhimin e energjisë në vend duke u bazuar në potencialet kombëtare por dhe ato rajonale e më gjerë. Në prodhimin e energjisë elektrike Shqipëria vazhdon të mbetet një vend 100% prodhues nga burime të rinovueshme dhe ndoshta është i vetmi i tillë në Europë. Nxitja dhe mbështetja e qeverisë shqiptare si nga ana ligjore dhe ajo ekonomike i investimeve në energjinë e rinovueshme do të rrisë treguesit e diversifikimt dhe do të përmirësojë sigurinë energjetike në vend, shoqëruar kjo me pritshmërinë e lartë mbi rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon”, deklaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerësoi hartimin dhe publikimin e përvitshëm të raportit mbi vlerësimin e riskut të investimeve në energji duke theksuar se ky raport është një instrument i vyer i cili i shërben politik bërësve dhe investitorëve për vlerësimin e politikave, identifikimin e barrierave penguese dhe forcimin e kuadrit rregullator me qëllim përthithjen e investimeve në energji dhe reduktimin e pengesave për realizmin e tyre.

Mbajtjen e Forumit të Kartës Ndërkombëtare të Energjisë në Tiranë e përshëndeti edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kartës Energjetike Urban Rusnák.