Kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May u shpreh për mediat se i vjen keq që parlamenti britanik nuk ka qenë në gjendje të ratifikojë deri tani marrëveshjen që do të lejonte daljen e rregullt të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. “Britania e Madhe tanimë duhet ta linte BE-në”, tha ajo në Samitin e liderëve të BE-së. May pret që takimi i sotëm në Bruksel do të rezultojë në marrjen e një shtyrjeje për një dalje të rregullt të vendit nga BE.

“Qëllimi i këtij samiti është që të bien dakord për një zgjatje që do të na sjellë më shumë kohë për të rënë dakord për një marrëveshje që do të na lejojë të largohemi nga BE në mënyrë të rregullt”, u shpreh May. Ajo tha se ka kërkuar shtyrjen e Brexit-it deri më 30 qershor, por ratifikimi i marrëveshjes mund të ndodhë më herët. “Është e rëndësishme që ne të largohemi nga BE në momentin kur lejojmë ratifikimin e marrëveshjes”, deklaroi May.