Ministrja Etilda Gjonaj, e pranishme në aktivitetin për çeljen e masterit të parë në vendin tonë në fushën e kriminalistikës u shpreh se, qeveria është në një fazë të re ku qeveria është pranë studentëve dhe fakulteteve

Gjatë aktivitetit të organizuar për çeljen e këtij masteri morën pjesë kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko dhe ambasadori britanik, Duncan Norman

“Tashmë kemi hyrë në një fazë të re, fazë në të cilën qeveria shqiptare e ka shfrytëzuar për të qenë sa më pranë universiteteve dhe sa më pranë studentëve dhe stafit akademik. Jo më shumë se disa muaj më parë, ju të gjithë u njohët me Paktin për Universitetin më shumë si një domosdoshmëri, një dokument që iu përgjigjet të gjitha kërkesave të studenteve dhe shkon përtej tyre”, tha Gjonaj.

“Pakti për universitetin nuk është një dokument në letër, por një instrument për të bërë të mundur jo vetëm plotësimin e kërkesave të studentëve, por çdo masë tjetër që duhet për të përmirësuar jetën studentore dhe rritjen e vlerave të Universitetit shtetëror”, shtoi ministrja.

“Gjetja, studimi dhe analiza e hollësishme e faktorëve që kontribuojnë në parandalimin e krimit në nivel qendror dhe lokal është një nga objektivat më të rëndësishme të politikës penitenciare të çdo qeverie dhe veçanërisht të Ministrisë të Drejtësisë e cila e ka fokus të veçantë të veprimtarisë të vetë arritjen e këtij qëllimi”, tha Gjonaj.

Sipas saj, një tjetër objektiv i rëndësishëm i Ministrisë të Drejtësisë ka në fokus identifikimin e faktorëve të cilët kontribuojnë në parandalimin e rasteve kriminale, duke ndihmuar në gjetjen e metodave dhe mjeteve të cilat i shërbejnë ri- integrimit, si personave që kanë qenë viktima të kryerjes të një krimi të caktuar ashtu edhe dhunueseve të tyre, veçanërisht kur këta të fundit janë të mitur ose femra, me qëllim integrimin në funksion të të gjithë shoqërisë.

“Ky program studimi i shërben pikërisht thellimit të dijeve dhe analizës edhe në këtë drejtim, duke synuar kualifikimin e eksperteve, të cilët me pas mund të japin kontributin pranë Ministrisë të Drejtësisë, institucioneve të varësisë dhe jo vetëm”, theksoi Gjonaj.