Kryetari i Komisionit hetimor për Metën, Ulsi Manja deklaroi se qëllimi kryesor i tij është shkarkimi i Metës. Manja tha se komisioni do të hetojë njohjen dhe ushtrimin e kompetencave nga ana e presidentit të Republikës lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore.

“Qëllimi i ngritjes së tij është i njohur, unë po shfrytëzoj rastin dhe po lexoj vendimin e kuvendit të Shqipërisë: Ky komision hetimor ka për qëllim të hetojë njohjen dhe ushtrimin e kompetencave nga ana e presidentit të Republikës lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete. Ky komision ka për detyrë të verifikojë procedurat e ndjekura nga presidenti i Republikës, të verifikojë pasoja e këtyre akteve në raport me institucionet e tjera. Në optikën e kolegëve deputetë që kanë kërkuar shkarkimin e tij konstatohet se sjellja e tij në lidhje me procedurat e ndjekura, presidenti ka shkelur rëndë kushtetutën dhe kjo sipas tyre përbën shkak ligjor për pezullimin nga detyra. Ky komision referuar saktësisht vendimit 84, për një periudhë 3 mujore do bëjë një hetim të plotë për t’i paraqitur Kuvendit një raport përfundimtar. Ky është edhe deklarimi i komisionit hetimor i përcaktuar në vendimin dhe komisioni është i detyruar t’i rrijë strikt”, tha Manja.